Xhefri Monkada është bërë imazhi i çdo deklarate që paraprin ndeshjet e Milanit. Edhe dje, në kuadër të sfidës së fituar me Venecian, drejtori teknik i “Djallit” bëri disa deklarata në lidhje me momentin dhe kontratat e kuqezinjve. Ajo që bëri më shumë përshtypje ishte komenti i francezit për drejtorin e ri sportiv, një rol që ndoshta klubi mund ta lërë ende vakant.
Sa do ta ndryshonte mendimin tuaj për sezonin një triumf i mundshëm në Kupën e Italisë? Nuk jemi të kënaqur me renditjen e Serisë A dhe as nuk do të fluturojmë nga lumturia nëse ia dalim në Kupën e Italisë. Fitimi i trofeve është i rëndësishëm për ne, për një klub si Milani. Duam të fitojmë Kupën e Italisë edhe sepse nëpërmjet atij turneu kemi shansin e vetëm për të luajtur sezonin e ardhshëm në Europë.

Pas derbit, thatë që jeni të kënaqur me Konseisaon. Jemi shumë të kënaqur me gjithçka po bën. Ai ka punuar shumë në 3 muaj, duke sjellë një metodologji dhe intensitet të rëndësishëm në “Milanello”. Punojmë mirë së bashku dhe deri në një provë të kundërt, ai mbetet trajneri ynë.
A mund të qëndrojë Milani pa një drejtor të ri sportiv? Gjithmonë flasim për qëllime, por ka edhe performanca që janë interesante. Kemi bërë gabime në shumë ndeshje dhe mund të kishim bërë më shumë. Kemi një strukturë, jemi Milani dhe në klub ka njerëz që punojnë. Po mendojmë për një drejtor si aset për të zhvilluar klubin, për të bërë një hap tjetër. Por, kemi një strukturë dhe një organizim që është i konsiderueshëm edhe në këtë moment.
Cila është situata kontraktuale e Joviçit? I lumtë atij dhe trajnerit, sepse kanë punuar për të arritur në këtë nivel. Ne kemi gjithçka nën kontroll për sa u përket kontratave të lojtarëve tanë. Për Joviçin nuk bëhet fjalë për një rinovim, por një opsion. Jemi të kënaqur me të, ai ka luajtur mirë dhe shpresoj se do të luajë mirë përsëri po aq mirë në këto ndeshje të fundit që na kanë mbetur.