Kandidatja për Partinë Demokratike në qarkun e Durrësit, Jola Hysaj, ka denoncuar gjendjen mjedisore të zonës së Shënavlashit, duke postuar një video-mesazh nga llogaria e saj personale në Instagram, ku shfaq grumbuj me plehra dhe kanalet e ujërave të zeza.

“Unë jam Jola Hysaj dhe besoj se Shën Vlash mund të kthehet në një zonë të pastër, me infrastrukturë të denjë për qytetarët dhe vizitorët!”, shprehet politikania e re e opozitës, teksa apelon edhe për të votuar koalicionin ADSHM dhe numrin 1 më 11 maj.

Më tej bën edhe prezantimin me video të situatës.

Jemi në Vrinas të Shënavlashit, jo shumë larg Durrësit. Infrastruktura në pikën ekstreme. Kanalet e ujërave të zeza janë të tejmbushura, imagjinoni se si bëhen gjatë verës. Uji i pijshëm vjen vetëm 2 orë në ditë, vetëm pas orës 5. Kurse transporti publik, në fakt është transport privat. Nuk jemi as më pak dhe as më shumë. Por pikërisht në vendin ku pritet urbani dhe mund të shihni se imazhi është i tmerrshëm. Nga ana tjetër, mbeturinat digjen, në vend që të largohen. Dhe të presësh urbanin do të thotë që mushkëritë të mbushen jo vetëm me blozën, por edhe me papastërtitë dhe bakteret.

Teksa bën ironi me qeverisjen aktuale, Hysa e mbyll duke ‘thumbuar’:

“Dhe siç keni dëgjuar për fshatra industrialë dhe turistikë, mirëseerdhët në Shënavlash!”, teksa pas shpine ka grumbullin e plehrave.