Një ndërprerje masive e energjisë elektrike ka goditur sot Spanjën dhe zona të mëdha të Portugalisë dhe Francës, duke “paralizuar“ shërbime kyçe dhe transportin. Arsyeja e ndërprerjes nuk dihet ende, ndërsa linjat telefonike janë jashtë funksionit, sipas Corriere della Sera.
Ndër më të goditurat janë Madridi, ku kanë ndalur funksionimi i aeroportit Barajas dhe metrosë, si dhe qytetet Sevilja, Barcelona dhe Pamplona, ku furnizimi me energji nuk është rikthyer ende. Trafiku rrugor në kryeqytetin spanjoll është në kaos për shkak të mosfunksionimit të semaforëve.

Operatori i rrjetit elektrik spanjoll njoftoi se ka aktivizuar planet emergjente për rikthimin e furnizimit dhe po punon me intensitet të plotë për të identifikuar shkakun e ngjarjes. Ndërkohë, Instituti Kombëtar për Sigurinë Kompjuterike (Incibe) ka nisur hetime për të vlerësuar nëse bëhet fjalë për një sulm kibernetik të mundshëm ndaj infrastrukturës kritike.