Damian Gjiknuri, shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Ergest Dule, zhvilloi një takim me fermerë në Konispol.

Në fjalën e tij Gjiknuri pohoi se “E kam kënaqësi që rikthehem këtu, ku së bashku kemi bërë punë të mira. Unaza ekonomike, që u realizua, ishte investim me insistimin tim, me fondet e qeverisë shqiptare, për t’i ardhur në ndihmë kësaj zone, kryesisht bujqësore, ku janë shtuar sipërfaqet e mbjella. Gjithashtu edhe për sistemin e vaditjes, pas lobimit tim, arritëm ta bëjmë realitet. Kjo është një vepër e kërkuar nga ju dhe premtim i mbajtur nga unë. Fondet e investimeve erdhën për infrastrukturën e nevojshme. Përmirësimi i energjisë elektrike do të bëhet shumë shpejt, dhe kjo është pjesë e paketës së Partisë Socialiste për zonën tuaj. Vazhdimi i investimeve në infrastrukturë, si një kërkesë e juaja dhe përmirësimi i skemës në bujqësi dhe aspekte të rregullimit të tregut do të vijojnë të jenë prioriteti ynë”.

Duke iu referuar situatës zgjedhore, Gjiknuri pohoi se, “Të gjithë fermerët kanë shumë arsye për të votuar Partinë Socialiste. Jo vetëm për investimet dhe vëmendjen që i ka dhënë Bashkisë së Konispolit, jo vetëm për të mirat që i ka sjellë vendit dhe që kjo patjetër sjell rritjen e kërkesës për bujqësinë shqiptare. Unë personalisht, në këtë garë, kërkoj mbështetjen tuaj. Juve ju duhet një zë i fuqishëm, një njeri me eksperiencën e duhur politike, që të hap dyert dhe të zgjidh problematika të komunitetit. Unë e dua mbështetjen tuaj, në mënyrë që të çojmë përpara gjithçka të nisur së bashku”.

Kryebashkiaku i Konispolit, në fjalën e tij, pohoi se “Damianin nuk është e nevojshme ta prezantosh, pasi ka qenë ministër, drejtues dhe kordinator në ato qarqe ku Partia Socialiste ka patur nevojë dhe ka bërë atë “tërmetin” e vet. Këtu në bashkinë tonë ka qënë prezent nëpërmjet punëve, investimeve publike. Fat i gjithë Qarkut Vlorë që të jetë te lista dhe secili nga ju do ta bëjë vlerësimin nëpërmjet votës. Ne na duhet një zë i fuqishëm, që bashkë me mua, me bashkinë dhe me ministritë e linjës, të gjitha shqetësimet e zonës, t’i çojmë atje ku duhet. Ju vlerësimin do ta bëni vet, për kandidatin që i duhet zonës sonë. Ajo që është më e rëndësishme për ne, është që vota të shkojë tek Nr.5, tek Partia Socialiste, që t’i japim mundësi qeverisë që këtë vend ta çojë përpara nëpërmjet punëve dhe investimeve dhe ta integrojmë Shqipërinë në Bashkimin Evropian”.