“Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian vetëm me Edi dhe PS”, është ky slogani që do të shoqërojë socialistët, në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Nën simboliken e 12 yjeve në flamurin e Bashkimit Europian dhe pasaportës Europiane, Edi Rama i parapriu çeljes e fushatës zyrtare me një takim me gratë socialiste pasditen e kësaj të premteje në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Gjatë fjalës së tij kryesocialisti Edi Rama falënderoi vajzat dhe gratë për të gjithë mbështetjen e madhe dhe punën e palëkundur që kanë bërë dhe mbështetjen që i kanë dhënë PS. Rama u shpreh gjithashtu besimplotë se në zgjedhjet e 11 majit PS do të jetë fituese dhe se siç tha ai, “Shqipëria më 12 maj do të gdhihet e mbuluar me rozë”

“Mbështetjen kuptimplotë prekëse dhe inkurajuese të pjesës më të ndjeshme të pjesës më të arsyeshme, më të sakrifikuese të popullit shqiptar, që janë gratë dhe vajzat nuk do ta ndërroja kurrë me mbështetjen e pjesës tjetër. Mbështetjen e burrave dhe të djemve të cilën e çmoj shumë siç çmoj çdo shqiptar që na mbështet. Por mes dy palëve unë zgjedh padiskutim nënat bijat dhe motrat. Ndaj edhe sot në Ditën e Rënies së gongut të fushatës zyrtare zgjedhore nuk mund ta nisnim këtë etapë me gratë dhe vajzat që duke e njohur nga brenda organizimin e PS mendoj që mund të quhen me plot gojën komandot…Duke ju falënderuar për punën fantastike që keni bërë të gjitha bashkë, në të gjithë territorin e Shqipërisë të flamurit të fitores tonë. Ai flamur që ju keni qëndisur me shumë durim zonë më zonë, do ta mbulojë të gjithë hartën elektorale të 11 majit dhe në mëngjesit e 12 majit Shqipëria do të gdhihet e gjitha e mbuluar me rozë, që është ngjyra e grave dhe vajzave, por që është edhe ngjyra e PS. PS dhe fuqia e gruas nuk janë sot të ndërlidhura rastësisht”, tha Rama.