Edhe pse në kushte të izolimit në burg, Ilir Meta vazhdon të jetë aktiv për fushatën zgjedhor, por ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi tha se nuk ka komunikuar me të.

“Nuk kam komunikuar dhe nuk komunikojmë bashkë, nuk më intereson fare. Unë bëj detyrën time. Sa i përket marrëdhënies time personale me opinionin publik, por edhe me atë strukturë që e kam themeluar vetë dhe e kemi themeluar të gjithë së bashku”, tha Kryemadhi në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN.

Kryemadhi u shpreh se pas 11 majit, për të nis një jetë tjetër, larg politikës.

“Kam kontribuar mbi 21 vite dhe ky është kontributi maksimal i jetës sime, i cili më bën komplet të pavarur në qëndrimin tim me atë. Nuk më intereson fare se çfarë mendon. Pas 11 majit, unë mbaroj detyrën time dhe pastaj është komplet një jetë tjetër për mua”, tha Kryemadhi në Debat.

Kryemadhi tha se do të kërkonte votën për babain e fëmijëve të saj, për të cilët jep edhe jetën (pra për fëmijët).

Kryemadhi shtoi se dikur ishte e gatshme të jepte jetën për Ilir Metën, por sipas saj, në moshën 50-vjeçare në të cilën ajo ndodhet, nuk mund të ketë histori si të Romeos dhe Zhuljetës.

Ajo foli edhe për votat e diasporës, për të cilat tha se pavarësisht metodave për të bërë sa më të sigurt, sërish kjo votë është e cenueshme.

“Unë mendoj që ndryshe nga zgjedhjet e tjera ku shitblerja e votës ka qenë masive zgjedhjet e kaluara në Shqipëri, këtë radhë unë mendoj se blerja e votës mund të luhet në mënyrë të hapur në diasporë. Pavarësisht se nga ana teknike procesi i marrjes së fletës së votimit, i votimit, i mbylljes në zarfin A dhe B është shumë korrekt, por sa e mbrojtur është vota e diasporës që nuk është familjare dhe nuk është e fshehtë… Dhe nga ana tjetër në kushtet në të cilat janë sot, ku pjesa më e madhe e votuesve janë në Greqi dhe Itali, ku pagat e shumicës së emigrantëve në këto 2 shtete janë shumë të ulëta dhe duke pasur parasysh turn overin ekonomik të grupeve të caktuara të interesit, përsa i përket shitblerjes së votës. Megjithatë nuk është aq e përhapur sa ka qenë më parë në Shqipëri.

Unë kam thënë se do të kërkoj votën për babain e fëmijëve të mi për të cilët jap jetën. Para disa vitesh jepja jetën për Ilir Metën, por prioritetet e një gruaje 50-vjeç janë krejt ndryshe në raport me një vajzë të re, sepse në të gjitha historitë e Romeo dhe Zhuljetës i kemi parë me 18-vjeçarët dhe 20-vjeçarët. Nuk ka Romeo dhe Zhuljeta 50 vjeç”, tha Kryemadhi.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetaren Alba Alishani, ish-kryetarja e LSI u shpreh se i erdhi keq për Ilir Metën që u la në listë të hapur. Ajo tregoi disa nga problematikat që PL po has sot që ka të bëjë humbja e kontaktit me terrenin.

“Strukturat e partisë nuk janë administrative. Një parti si LSI që ka qenë në mes, si sanduiç, qeliza e saj ka qene terreni. Në momentin që shkëput kontaktin me ta, ka ndodhur që duke dëmtuar strukturën nuk ke pikë për shpërndarjen e mesazhit dhe mbledhjen e votës. Ndryshe nga herët e tjera kjo gjë… Unë nuk doja të merresha shumë. U mërzita që Ilir Meta u vendos në listë të hapur. Jo se ai nuk do ta bënte. Ai ishte në habitatin e tij dhe u rikthyer në vendimmarrjen e tij politik. U mërzita se shoh një grup njerëzish që kur ishte jashtë prisnin damarët”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi gjithashtu foli dhe për të larguarit nga LSI, sipas të cilës një pjesë e mirë e tyre u afruan nga kryebashkiaku Veliaj me synimin e vetëm për të ushtruar presion ndaj kryeministrit Rama. Sipas saj arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës u bë me urdhër të Edi Ramës “për të frenuar rivalin”.

“U ngrit një tymnajë nga Veliaj që nuk kanë database. Janë 54 mijë anëtarë. Harrojnë që iu është dorëzuar e printuar dhe me USB. Jam gati tua çoj ekspertin që të gjejë kur është fshirë. Të gjithë ata që janë larguar nga LSI janë pjesë e strukturës së Erion Veliajt dhe jo e Ramës.

Synohej një fraksion për të luftuar Edi Ramën. LSI kishte 28 mijë vota dhe nuk ishin pak për Veliajn. Arrestimi i Veliaj edhe për të frenuar rivalin e tij. Besoj se arrestimi i tij ishte axhendë e kryeministrit për të futur në burg rivalin. Veliajn nuk ke pse e arreston për rrobat e gruas, arrestoje për inceneratorët. Njësoj siç ia bënë Lefter Kokës”, tha Kryemadhi.