Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka rikonfirmuar se do të udhëtojë në Moskë për të marrë pjesë në paradën ushtarake të “Ditës së Fitores” më 9 maj, duke sfiduar hapur paralajmërimet nga Bashkimi Evropian dhe kritikët ndërkombëtarë për afërsinë e tij me Kremlinin.

“Askush nuk mund të më urdhërojë se ku mund të shkoj apo jo,” u shpreh Fico të hënën, si përgjigje ndaj deklaratës së përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, e cila u bëri thirrje liderëve evropianë të mos marrin pjesë në aktivitetet përkujtimore në Moskë, për shkak të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës, sipas Euronews.

Kallas theksoi nga Luksemburgu se “çdo pjesëmarrje në ceremonitë e 9 Majit në Moskë nuk do të merret lehtë nga pala evropiane”, duke shtuar se vendet kandidate për anëtarësim në BE duhet të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në Kiev, jo në Moskë.

Por Fico reagoi ashpër ndaj saj:

“Zonja Kallas, më lejoni t’ju informoj se unë jam kryeministri legjitim i Sllovakisë, një shtet sovran. Do të shkoj në Moskë më 9 maj,” deklaroi ai.

Ai shtoi se qëllimi i udhëtimit të tij është “të nderojë ushtarët e Ushtrisë së Kuqe që çliruan vendin tim dhe viktimat e nazizmit.”

Paradën e 9 Majit, që shënon fitoren ndaj Gjermanisë Naziste, Kremlini e ka shndërruar vitet e fundit në një mjet propagandistik për të përforcuar narrativën e “luftës patriotike” në Ukrainë. Vitin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin i quajti “heronj” ushtarët rusë që luftojnë në Ukrainë.

Pjesëmarrja e Ficos vjen në një kohë kur ai është përballur me kritika të forta nga brenda dhe jashtë vendit për politikat e tij pro-Moskë. Pas rikthimit në pushtet vitin e kaluar me partinë e tij të majtë Smer, Fico ndërpreu ndihmën ushtarake për Ukrainën, kundërshtoi sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe ka kritikuar ashpër Kievin lidhur me kalimin e gazit rus përmes territorit sllovak.

Ai gjithashtu nuk e ka vizituar Kievin që nga fillimi i agresionit të plotë rus ndaj Ukrainës më shumë se tre vjet më parë — ndryshe nga shumica e liderëve perëndimorë.

Ndërkohë, qeveria e tij është përballur me protesta të vazhdueshme, përfshirë kundërshtime ndaj një projektligji të ri për OJQ-të, që ka shkaktuar frikë për një shtypje në stil rus ndaj shoqërisë civile.

Udhëtimi i Ficos në Moskë më 9 maj mund të thellojë më tej tensionet mes Bratislavës dhe Brukselit, si dhe të izolojë Sllovakinë në arenën evropiane, veçanërisht në kohën kur BE-ja kërkon një qëndrim të përbashkët kundër agresionit rus.