Shqipëria do të çelë grupkapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian – “Tregu i Brendshëm”, në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri – BE, e cila do të mbahet ditën e hënë në Luksemburg.

Kryeministri Edi Rama, kryeson delegacionin shqiptar në këto bisedime, i përbërë nga ministra, zëvendësministra dhe drejtues të punës për kapituj përkatës.

Kryeministri Rama do të vizitojë fillimisht Brukselin, ku do të pritet nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, e më pas do të udhëtojë drejt Luksemburgut për të marrë pjesë në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku do të jetë e pranishme edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos.

Në nisje të koferencës Kryeministri Rama do të mbajë fjalën hapëse, në emër të Shqipërisë Ndërsa në emër të BE, deklarata do të mbahet nga Radosław Sikorski, Ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE.

Në përfundim të punimeve të Koferencës, Kryeministri Edi Rama, Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë Radosław Sikorski dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

-Grupkapitulli i II-të I negociatave përmban: kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës), kapitulli 9 (Shërbimet Financiare dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit).