nga Albert Vataj

Fotografia, “A Walking Library” në Londër, rreth viteve 1930, është një dëshmi poetike e një kohe kur libri ishte jo vetëm mjet njohjeje, por edhe simbol i emancipimit dhe një formë e përkushtimit publik ndaj dijes.

Në sfondin e viteve ’30, Evropa,përfshirë Britaninë, po përjetonte sfida të mëdha ekonomike dhe politike, por njëkohësisht edhe një përpjekje të fuqishme për të çuar më pranë masave kulturën dhe edukimin. Ky koncept i “bibliotekës së ecshme” është më shumë se një mënyrë alternative për të shpërndarë libra, është një gjest civilizues, një akt dashurie ndaj leximit dhe një manifestim i idesë që dija duhet të shkojë te njeriu, jo vetëm njeriu te dija.

Në një kohë kur biblioteka nuk ishte gjithnjë e qasshme për të gjithë, veçanërisht për klasat punëtore apo gratë, forma të tilla si “walking library” ecnin në rrugë, duke ofruar njohuri aty ku njerëzit ndodheshin, në rrugë, në treg, në park.

E veçanta e kësaj fotoje është prania e grave, një përfaqësim i fuqishëm i përfshirjes së tyre në përhapjen e kulturës në një kohë kur roli i gruas në shoqëri ende luftonte për vendin e tij të merituar. Kjo është një ikonografi e re, gruaja si bibliotekë, si urë ndërmjet dijes dhe komunitetit.
Biblioteka nuk është më një vend i ngurtë, por bëhet pjesë e trupit, e gjesteve, e rrugës. Libri ecën, shëtit, troket në ndërgjegje, nuk pret, kërkon lexuesin aty ku ai është, aty ku nevoja për të është e pranishme.

Në këtë imazh ka një butësi të veçantë. Njëra grua lexon ndërsa tjetra mban bibliotekën në shpinë, një akt solidariteti, një simbiozë mes dhurimit dhe përjetimit të fjalës së shkruar. Është një poezi e heshtur mes kalldrëmit dhe fjalëve.

Në vitet 1930, shumë qytete përballeshin me papunësi të lartë dhe stagnim ekonomik, por kultura dhe dija shpesh funksiononin si një lloj “ushqimi shpirti”, një alternativë për të qëndruar aktiv dhe i lidhur me botën. Iniciativa si kjo përfaqësonin përpjekjet për të mos lejuar që dija të bëhej privilegj, por të mbetej e përbashkët.

Po sot?!
Në një botë të mbingarkuar me informacion digjital, kjo fotografi vjen si një kujtesë fisnike e një kohe kur libri kishte një peshë konkrete, fizike e shpirtërore. E ndiejmë se si fjala e shkruar ishte një burim shprese, një mjet për të kuptuar vetveten dhe botën, kurrsesi jo një zhurmë tjetër në rrjedhën e rrjeteve sociale.