Të gjitha titujt e portaleve të Berishës, por edhe të tjerët, kanë një titull të pazakontë për një lider si Berisha: të gjitha shkruajnë “Berisha krah LaCivitës në fushatë.”
Ka 34 vjet që të gjithë titujt për të janë “Filani krah Berishës”, ose “afër Berishës”, ose “në tribunë me Berishën.”
Është hera e parë në historinë e karrierës së tij që Berisha quan më të rëndësishëm atë që paguan sesa veten e tij. Pra, shqiptarët sipas tij duhet ta votojnë vetëm se Berisha është në krah të LaCivitës, një menaxheri të shtrenjtë amerikan, që me gjasa do t’i duhet të mbarojë këtë fushatë elektorale për të kuptuar që nuk di gjë fare nga fushatat elektorale në Ballkan.
Sidoqoftë, ajo do të jetë histori tjetër dhe shpresoj të jetë pasi t’i ketë marrë lekët.
Por e gjithë fabula e Berishës për ta poshtëruar veten dhe për ta quajtur veten shoqërues të LaCivitës bëhet që ai të kompensojë një gjë të rëndë zyrtare, të pandryshueshme dhe të pakthyeshme aq lehtë nga politika botërore: faktin që është “non grata” për korrupsion madhor të tij dhe familjarëve të tij, për shantazh ndaj sistemit të drejtësisë dhe minim të demokracisë.
Për të mbuluar këtë gjëmë në sytë e njerëzve të vet, Berisha po përpiqet t’u thotë atyre dhe shqiptarëve se pavarësisht se qeveria ka raporte të mira me SHBA, madje më të mirat në gjithë kohërat, ai i ka dhe më të mira, se njeh njërin që njeh Trumpin.
Banalizmi i raporteve personale, duke spostuar mentalitetin klanor të Shqipërisë në SHBA, tregon më së miri se nga se vuan shoqëria shqiptare dhe nga sa ka vuajtur pushteti i Berishës.
Për të, SHBA është njësoj si ai që kur vjen në pushtet sjell gjithë tropojanët në Tiranë dhe pastaj ata njohin njëri-tjetrin e kështu ecin përpara.
Kështu e përfytyron dhe LaCivitën, i cili meqë ka pasur një kontratë fushate me Trumpin, për Berishën tani është Trumpi dhe është gati ta quajë veten shoqërues të tij.
Për ta shpjeguar më thjeshtë diferencën mes çiftit Berisha–LaCivita dhe SHBA–Shqipëri në linjë zyrtare, më së miri i shkon ilustrimi me ata që bëjnë seks me pagesë dhe ata që kanë raporte normale.
Berisha mendon se duke blerë një amerikan, e ka blerë kënaqësinë e të pasurit të një amerikani në krah.
Qeveria nuk ka nevojë, se i ka raporte afatgjata zyrtare, por edhe personale.
Kështu që në fund e dimë si përfundon. Kur blen seksin me pagesë, gjithçka mbaron pas faturës. Kështu do jetë dhe ky shpenzimi i Berishës në pleqëri.