Drejtuesi i fushatës elektorale të Partisë Demokratike, strategu amerikan Chris LaCivita, gjatë një takimi me shqiptarët në Breshia të Italisë, theksoi rolin vendimtar që diaspora shqiptare mund të ketë në zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë fjalës së tij, LaCivita deklaroi se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë, e cila sipas tij është rezultat i drejtimit 12-vjeçar të kryeministrit Edi Rama.

“Shqipëria po përballet me një krizë të vërtetë, ka humbur më të mirët dhe më të mençurit për mundësi që nuk i ofron. Nuk ofron mundësi sepse për 12 vite të fundit, Edi Rama dhe socialistët e kanë bërë të pamundur”, u shpreh LaCivita.

Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke veçuar rolin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe arsyen pse duhet të votojnë Sali Berishën.

“Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë mundësin për të ndryshuar drejtimin e vendit. Çdo votë ka rëndësinë e vetë, por sidomos të atyre që jetojnë jashtë. Keni mundësinë të ndryshoni të ardhmen e Shqipërisë”, tha ai.

“Në 2024 Donald Trump u bë President i SHBA-së, sepse solli për të votuar pjesën më të madhe të amerikanëve. Duke dalë të gjithë, sa më shumë për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, për numrin 1 për doktor Sali Berishën, ju do ta bëni Shqipërinë të madhe përsëri”, shtoi LaCivita.