CËRRIK- Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me fermerët dhe qytetarët në Cërrik u ndal tek procesi i legalizimeve.

Sipas tij, janë kryer deri tani 270 mijë legalizime, ndërsa në radhë janë edhe 60 mijë të tjera.

Ai theksoi se plani është që ky proces të përfundojë në vitin 2028.

“Sa i përket legalizimeve, bashkia tani ka marrë një autoritet, pra bashkia është pjesë e procesit. Janë kryer 270 mijë legalizime.

Kanë mbetur edhe rreth 60 mijë tjera, sepse janë shumë. Janë bërë në të kaluarën gabime të rënda me legalizimet ose më keq akoma, ka pasur gabime, por janë bërë poshtërsia të mëdha që kanë sjellë dëme të mëdha dhe ne nuk duam t’i përsërisim këto, prandaj procesi do të vazhdojë.

Duam që të mbyllet bashkë me inventarizimin përfundimtar të pronës në 2028, dhe për këtë arsye kemi futur edhe bashkitë në lojë, që ta mbyllim këtë proces.

Shpresoj shumë që kush ka pritur gjatë nuk do presin më aq sa ka pritur, por duhet edhe pak durim. Kur ne kemi marrë detyrën janë bërë 21 mijë legalizime, dhe një pjesë e tyre ishin kriminale komplet, të paimagjinueshme”, tha ai.