Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një vizitë në laboratorët kërkimorë të ngritur në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, në Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT), të cilët janë financuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Gjatë vizitës në Laboratorin Kërkimor Shkencor për Projektimin, Prototipizimin dhe Testimin e Bordeve të Qarqeve Elektrike dhe Sistemeve të Antenave të Printuara, Ministrja Manastirliu vlerësoi rëndësinë e investimit për zhvillimin e kapaciteteve teknologjike dhe kërkimore në fushën e inxhinierisë elektronike dhe telekomunikacionit.
“Këto laboratorë, me pajisje që janë fjala e fundit e teknologjisë dhe sigurisht rrjeti i të gjithë kompjuterave që janë kompjutera të teknologjisë së avancuar, u japin mundësi studenteve të mësojnë me këto mjete bashkëkohore dhe të punojnë në drejtim të perfeksionimit të mësimdhënies nga pedagogët e këtij departamenti. Kemi investuar edhe në laboratorin e inteligjencës artificiale, që është një laborator i fjalës së fundit të teknologjisë.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.
Qëllimi është fuqizimi i infrastrukturës laboratorike për stafin dhe studentët, si dhe nxitja e kërkimit dhe inovacionit në ndërtimin e sistemeve elektronike dhe të teknologjisë së informacionit.
“Infrastruktura e kërkimit shkencor është një prioritet në arsimin e lartë dhe ne jemi duke ecur me hapa të rëndësishëm, ku përgjatë tre viteve ne kemi 3-fishuar fondet për kërkimin shkencor dhe inovacionin për universitete tona të cilat aplikojnë çdo vit për fonde për projekte të kërkimit shkencor, qoftë në infrastrukturë, qoftë në projekte kërkimore.
Ndër përfituesit përfshihen 21 anëtarë të stafit akademik dhe mbi 400 studentë në vit të programeve të Inxhinierisë Elektronike dhe Telekomunikacionit, studentë të doktoraturës në FTI, si dhe aktorë të tjerë të interesuar, përfshirë bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë.
“E rëndësishme është që këto pajisje të cilat vijnë në laboratorët tanë jo vetëm që ngrenë standardin në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor brenda universitetit por rrisin mundësinë që me akreditimin e laboratorëve të tillë të ofrohen shërbime dhe për të tretë dhe të bashkëpunohet më shumë me biznesin.”, tha Ministrja Manastirliu.
Ministrja Manastirliu vizitoi gjithashtu Laboratorin e Inteligjencës Artificiale, një tjetër investim i rëndësishëm. Projekti ka për qëllim krijimin e një infrastrukture moderne për zhvillimin e kërkimeve shkencore në fushat e inteligjencës artificiale, përpunimit të të dhënave, analizës së imazheve dhe objekteve 3D, përpunimit të gjuhës natyrale, me fokus të veçantë në gjuhën shqipe dhe aplikimeve të tjera inovative.
Ministrja Manastirliu u ndal dhe te ndërkombëtarizimi i universitetrve tona përmes bashkëpunimeve strategjike me universitete prestigjioze në Evropë.
“Ne synojmë të zgjerohemi përmes ndërkombëtarizimit, në bashkëpunim me universitete prestigjioze, siç është Universiteti Teknologjik i Compiègne-it një bashkëpunim që tashmë është vendosur prej vitesh. Në vitin e ri akademik, synojmë që për herë të parë të hapim dy programe bachelor në Elektronikë dhe Inxhinieri Kompjuterike, dhe më tej edhe në Megatronikë, për të mundësuar që kampusi universitar i Universitetit Teknologjik të Compiègne-it të funksionojë brenda Universitetit Politeknik të Tiranës.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Mamastirliu.
Home Lajme Aktualitet Manastirliu: Mbështetje për kërkimin shkencor, laboratorë të rinj për elektronikën dhe inteligjencën...