Tiranë, 28 prill– Universiteti i Mjekësisë i Tiranës ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit, me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me Spitalin “San Raffaele” dhe Universitetin “Vita-Salute San Raffaele” të Milanos, një nga institucionet më të njohura akademike dhe kërkimore në botë.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, drejtues dhe staf akademik të të dy universiteteve, si dhe mjekë, pedagogë e studentë.
Kryeministri Rama tha se përmes kësaj marrëveshjeje u japim mundësi të gjithëve, jo vetëm vajzave dhe djemve nga Shqipëria, por edhe vajzave dhe djemve nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe të tjerë nga rajoni që të vijnë të studiojnë në Universitetin tonë të Mjekësisë dhe të dalin nga ky universitet me një diplomë të nivelit më të lartë europian.

Në fjalën e saj gjatë takimit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu theksoi:
“Është një moment i rëndësishëm për arsimin e lartë marrëveshja që firmoset mes Universitetit të Mjekësisë së Tiranës dhe Universitetit ‘Vita-Salute San Raffaele’ dhe gjithashtu dy spitaleve respektive. Jam e kënaqur që kemi mbërritur në një tjetër stacion në këtë rrugëtim drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, por gjithashtu dhe të një tjetër arritje që do të synojë rritjen e nivelit të shërbimeve klinike dhe shërbimeve shëndetësore në vend.”
Duke folur për reformat në arsimin e lartë, Manastirliu tha:
“Është një gur kilometrik në arsimin e lartë në gjithë reformën që ne kemi ndërmarrë, përfshirë këtu dhe prioritetin mbi prioritetet tona, ndërkombëtarizimin, ku tashmë jo vetëm mes marrëveshjeve të partneritetit me universitetet europiane, por edhe me hapjen e kampuseve të universiteteve europiane në Shqipëri, po vijojmë të zgjerojmë bazën e arsimit të lartë duke rritur interesin jo vetëm të studentëve vendas, por edhe atyre të huaj për të studiuar në Shqipëri, në universitete të cilat kanë partneritete, ofrojnë programe të përbashkëta studimi dhe gjithashtu diploma të dyfishta, tashmë edhe me kampuse të universiteteve europiane, sikurse është kampusi i Kolegjit të Europës në Tiranë, kampusi i Universitetit të Studimeve në Distancë të Spanjës dhe gjithashtu jemi duke punuar për të hapur kampusin e tretë atë të Universitetit Teknologjik të Compiègne në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Nga ana tjetër, marrëveshje shumë të rëndësishme kemi lidhur për të arritur ekselencën në arsimin e lartë mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit BOKU të Vjenës. Një proces i transformimit radikal të programeve të studimit po ndodh aty dhe deri në 2030 ne do të kemi diploma të përbashkëta UBT-BOKU, të cilat do të mundësojnë që të gjitha programet e studimit të jenë tërheqëse jo vetëm për studentët vendas, por edhe për ata të huaj, duke qenë se do të jenë të gjitha programet në gjuhë të huaj përpos dhe standardit të programeve që do të jenë të njësuara me ato të Universitetit të BOKU të Vjenës.”
Lidhur me rëndësinë e marrëveshjes së nënshkruar për fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor, Ministrja Manastirliu u shpreh:
“Kjo marrëveshje do të ofrojë një konsulencë strategjike për programet e Universitetit të Mjekësisë, do të ofrojë trajnime të përbashkëta mes stafeve tona akademike dhe mbi të gjitha do të mundësojë një lidhje më integrale mes qendrave të kërkimit shkencor që menjëherë duhet që të përthithen nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.”
Në përmbyllje të fjalës së saj, Manastirliu shtoi:
“Përmes kësaj marrëveshjeje ku ne jemi të gatshëm si Ministri e Arsimit dhe Sportit, Universiteti i Mjekësisë dhe gjithashtu edhe përmes fondeve të Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, ne synojmë atë që është prioritet për ne që është ekselenca, dhe jam e bindur që përmes këtij partneriteti ne do të kemi ekselencë në programet akademike, ekselencë në kërkimin shkencor dhe mbi të gjitha ekselencë në shërbimet klinike ndaj qytetarëve.”
Marrëveshja pritet të japë një impuls të ri në cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri, duke ndikuar pozitivisht edhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.