Jetojmë në një kohë kur nuk vuajmë më nga mungesa e informacionit. Përkundrazi, e kemi gjithçka para syve, në çdo moment, në çdo pajisje. Por pikërisht ky bollëk informacioni është kthyer në një nga problemet më të mëdha të ditëve tona. Shpejtësia me të cilën qarkullojnë informacionet, kërkesa konstante për vëmendje, dhe presioni për të qenë të përditësuar, e kanë kthyer vëmendjen në një burim gjithnjë e më të rrallë. Kësisoj, nuk ka më kohë për mendim të thelluar, për analiza, apo mendim të nuancuar.

Pikërisht këtu fiton propaganda. Jo ajo e vjetra, e zhurmshme, me marshe ushtarake dhe parulla, por një propagandë e re: e qetë, e thjeshtuar, por e përkryer për ritmin e shpejtë të epokës sonë. Problemet e ndërlikuara shpjegohen me fjali të shkurtra. Ndjesitë e frikës dhe zemërimit aktivizohen shpejt. Dhe në fund, është gjithmonë dikush që shfaqet me premtimin e thjeshtë se do të na i zgjidhë të gjitha problemet.

Ky lloj thjeshtimi nuk është vetëm i rrezikshëm, por është shenjë e një lodhjeje kolektive, e një kërkimi të dëshpëruar për qartësi në një botë gjithnjë e më të turbullt.

Në këtë fragment nga episodi i 13-të i Apostrof Podcast, publicisti dhe eksperti i komunikimit Elvin Nuri e përshkruan këtë proces me saktësi:

“Ne e kemi vëmendjen resurs të mbarueshëm dhe nuk mund t’i japim jetën vëmendje çdo gjëje.
Pra, po komunikojmë të gjithë nga të gjitha anët me idenë se mos kapim pak vëmendje, bëjmë zhurmë, krijojmë mbingarkesë dhe njerëzit largohen. Krijojnë mosbesim dhe shkojnë tek ata që e përdorin thjeshtimin
në favor të interesave të tyre pragmatiste, duke mbushur të gjithë sferën e opinionit publik me probleme që ndoshta nuk janë aty ose me probleme komplekse që i thjeshtojnë… Ta sjellin problemin shumë të thjeshtë, po zgjidhjen akoma më të thjeshtë… ‘Jam unë zgjidhja!’ Dhe në mes bëhen dhe disa viktima: emigrantët, njerëzit me probleme ekonomike, veriu, jugu… Krijojnë dhe këto ndasira dhe në fund fare thonë ‘zgjidhja jam unë!’ Këtu kemi nevojë pastaj, që atë kompleksitetin që ti përmende ne ta ruajmë, edhe ta mbajmë si vlerë sepse
problemet janë komplekse ashtu siç janë dhe zgjidhjet.”