Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën konstituive. Seanca udhëhiqet nga deputeti Avni Dehari dhe Sala Jashari.
Konstituimi i Kuvendit i hap rrugën formimit të Qeverisë. Ndërkohë Seanca konstituive e Kuvendit kujtojmë se është thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 1 prill.

Rendi i ditës nis me caktimin e nga një deputeti nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend për Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve. Pas verifikimit të vlefshmërisë së mandateve të deputetëve, si dhe kuorumin në seancën konstituive, deputetët do ta bëjnë betimin solemn.

Më pas, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e kryetarit të këtij legjislativi, pozitë kjo e cila i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si parti që ka numrin më të madh të deputetëve.
Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit janë të domosdoshme votat e së paku 61 deputetëve. Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, do të përmbyllë konstituimin e institucionit ligjvënës të Kosovës.