Ujërat e politikës shqiptare nuk i ka trazuar vetëm kontrata 6 mln dollarë e lobimit të PD-së dhe Sali Berishës me kompaninë amerikane “Continental”, por edhe lajmi që përhapën se kryeministri Edi Rama kishte ndërmjetësuar për takimin në Beograd me djalin e presidentit Donald Trump, Donald Jr.

Ky i fundit reagoi bashkë me Grenell për heqjen e këtij lajmi nga zyra e PD-së, duke e quajtur të pavërtetë, ose që ta përgënjeshtronin.

Juristi Kreshnik Spahiu tha për Report Tv se kjo nuk është e vetmja histori mashtrimi me lajme fake e makinerisë së opozitës dhe veçanërisht PD-së së Berishës, duke kujtuar edhe rastet kur përdornin emrin e SHBA-ve për heqjen e non gratës, arrestimin e ministrave, arrestimin e ish-ambasadores Yuri Kim dhe të tjera.

Por sipas tij, ky veprim nga zyra e PD-së do kishte konseguenca më të forta në vijim dhe nuk do ishte reagimi i vetëm.

“Si politikë shqiptare ne jemi shumë qesharakë dhe provinciale në raport me Amerikën. Këta kanë menduar se mund të përdorin familjen Trump. Por ajo që nuk pranon në traditën e saj familja Trump është që ta përdorin. Më tepër që ta blesh me para. Si mund të mendosh që ata të blihen me para, e tani po u kthehet në bumerang. Unë mendoj se ky nuk do jetë reagimi i vetëm nga Grenell apo djali i Trump. Do ketë zhvillime të tjera”, tha Spahiu.

Dhe më tej kujtoi disa raste të tjera kur nga zyra e selisë blu janë shpërndarë lajme të rreme.

“Jo vetëm lajmet e rreme, se i kemi dëgjuar jo do arrestohet Yuri Kim, jo do arrestohen 11 ministra, jo qeveri teknike, jo non grata, ngritën makineri mashtrimi, duke përdorur edhe SHBA-të. Ne e dimë shumë mirë se SHBA-të nuk hedhin poshtë as administratën, as ambasadorin, as Grenellin e kështu me radhë, kështu funksionon politika amerikane. Për më tepër me këtë rast, që mendoj se do vijnë reagime të tjera, ndaj edhe këta janë tërhequr totalisht, edhe nga reagimet publike”, nënvizoi juristi për “Studio Live”.