Lionel Messi ka dhënë një intervistë për kanalin ‘Simplemente Fútbol’ në YouTube, ku ka rrëfyer me nostalgji periudhën e tij te Barcelona dhe ka ndarë mendimet për trajnerët që e kanë udhëhequr në Katalunjë, me një theks të veçantë për Pep Guardiolën.

“Gjithmonë them se dhoma e parë e zhveshjes ku hyra ishte e jashtëzakonshme. Jam shumë mirënjohës për pritjen që më dhanë të gjithë: Ronaldinho, Deco, Sylvinho, gjithashtu Xavi dhe Iniesta që ishin aty, dhe Puyol… Ishin emra të mëdhenj dhe ekipi ishte i pabesueshëm.

Fituam Ligën e Kampionëve për herë të parë pas një mungese të gjatë. Fakti që Rijkaard besoi tek unë dhe më bëri pjesë të asaj skuadre ishte diçka e jashtëzakonshme për mua, kënaqesha shumë,” kujtoi Messi.

Pas holandezit Rijkaard, ai nuk kurseu lëvdata për trajnerin katalanas: “Pep Guardiola është nga një botë tjetër. Është ndryshe, sheh gjëra që askush tjetër nuk i sheh.

Ai e ndryshoi futbollin. Të gjithë donin të na kopjonin. Në fakt, në një farë mënyre, e dëmtoi futbollin, sepse njerëzit përpiqeshin të luanin si Barça e jona.

Por ne ishim një ekip special… ajo mesfushë me Xavin, Busquets-in, Iniestën – gjithçka ishte perfekte mes lojtarëve dhe trajnerit.

Guardiola, për mua, është ndryshe. Një person që u kushton rëndësi detajeve, ka një mënyrë të veçantë të të menduarit dhe një vizion që të tjerët nuk e kanë. Futbolli ndryshoi tërësisht. Pas nesh, të gjithë donin të imitonin Barcelonën.”

‘Ylli’ argjentinas theksoi mirënjohjen që ndjen ndaj klubit që e rriti: “Të thuash që kam fituar gjithçka në futboll është diçka vërtet e çmuar.

Në aspektin ekipor pata fatin të fitoj gjithçka, si me klubet ashtu edhe me kombëtaren. Mendoj që do ta vlerësoj më shumë me kalimin e kohës. Jam shumë mirënjohës për këtë, për gjithçka që më është dhënë. Po, Zoti m’i dha të gjitha këto.”

Ai kujtoi gjithashtu se pas Kupës së Botës, kishte dëshirë të rikthehej në ‘Camp Nou’: “Pas Botërorit, nuk e shihja veten në asnjë ekip tjetër europian përveç Barcelonës.

Qëllimi im ishte të kthehesha. Të rikthehesha në shtëpi, atje ku gjithçka kishte nisur. Por fatkeqësisht, nuk ishte e mundur.”

Për zgjedhjen e transferimit në SHBA, Messi u shpreh: “Vendimi për të ardhur këtu ishte plotësisht familjar.

Erdhëm në Shtetet e Bashkuara, në Miami, për të përjetuar këtë eksperiencë të re,” theksoi 38-vjeçari, i cili ende ruan etjen për konkurrencë: “Nuk kam asnjë dyshim se do të vazhdoj të garoj.

Kjo natyrë nuk më ka braktisur kurrë, sepse është pjesë imja. Kështu jam rritur. E dua fitoren dhe konkurrencën.”

Në fund, ai pranoi se po mendon për një tjetër Botëror: “Ky vit do të jetë vendimtar për të ardhmen time në lidhje me Kampionatin Botëror. Do të gënjeja po të thosha që nuk mendoj për të.”