Ministri francez i deleguar për Evropën, Benjamin Haddad vlerëson se Shqipëria po ecën me shpejtësi në rrugën drejt BE. Në një intervistë për Klan News, tregon domosdoshërminë e realizimit të reformave në funksion të këtij procesi.
“Po, Marta Kos tha dicka të drejtë. Integrimi është i mundshëm nëse ruhet ky ritëm i reformave, sepse integrimi do të thotë shteti së drejtës, reforma në drejtësi, thellimi i tregjeve. Ky është zgjerimi që mbështet Franca. Zgjerimi është dhe një domosdoshmëri gjeopolitike sepse jetojmë në kohë të turbullta dhe të trazuara”, është shprehur ministri francez.

Në këtë proces, thotë ministri Haddad nuk do të mungojë mbështetja e Francës.
“Franca e mbështet Shqipërinë përmes asistencës teknike. Kam konstatuar që ka ekspertë francezë në administratë, në drejtësi, në fushën e arsimimit. Ne e mbështesim gjithashtu Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit edhe nëpërmjet negociatave me partnerët tanë”, theksoi Haddad.
Teksa në 16 Maj, Presidenti Emanuel Macron pritet ta vizitojë sërish Shqipërinë në kuadër të Komitetit Politik Evropian, ministri për Evropën tregon rëndësinë e këtij formati që për herë të parë mbahet në rajon
“Nuk është një alternativë e BE, është një forum diskutimi dhe ndarje idesh në këtë kohë të trazuar gjeopolitike. Europianët ndodhen në një moment delikat, duhet të marrin në dorë fatin e tyre, duhet të investojnë për sigurinë e tyre. Të krijojnë pavarësinë energjike dhe ekonomike. Jam shumë i shqetësuar nga ajo që ndodh në Bosnjë Hercegovinë. Ndërsa Shqipëria në Ballkan përfaqëson një vend të stabilizuar, një partner dhe ka një vend lideri për ne”, përmbylli Haddad.
Vizita e dytë e Macron në Shqipëri nuk do të jetë vetëm për Komitetin Politik Europian, por dhe në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve, pasi pritet të inaugurojë dhe disa projekte të rëndësishme.
