Mister mbetet roli i prindërve të autorit të vrasjes së 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sulës. Prindërit e 23-vjeçarit, Mark Samson sipas akuzës ndodheshin në shtëpi.
“Unë nuk isha atje”, u tha babai i autorit hetuesve. “Po flija”, ishte versioni i mamasë. Dy dëshmi që konsiderohen të pabesueshme.
Ilaria Sula u vra më 25 mars
Mark Samson e vrau Ilaria Sulën duke e goditur 3 herë me thikë në fyt, mbrëmjen e 25 marsit, plagë që i shkaktuan vdekjen 22-vjeçares shqiptare në më pak se një minutë për shkak të humbjes së madhe të gjakut. 23-vjeçari mbylli derën e dhomës së tij të gjumit dhe deri pasditen e 26 Marsit e mbajti të fshehur trupin e studentes shqiptare, të cilën e kishte ftuar për të fjetur në shtëpinë e tij, ndërsa ende nuk dihen arsyet pasi thuhet se çifti ishin ndarë. 20 orë ose edhe më shumë, pjesërisht të mbuluara me mister.
Në orët e vona të pasdites së të martës, Ilaria ka dalë me miqtë e saj dhe më pas u ka thënë atyre se do të shkonte në shtëpinë e të dashurit të saj. Lidhja e tyre vazhdonte ende, edhe pse në krizë. Pra, një mbrëmje si të tjerat, duke qenë se e reja ndalonte shpesh për të fjetur te Mark Antony Samson.
Megjithatë, në orën 18:00 të datës 26 Mars, një pajisje e instaluar nga Bashkia e Polit fokusoi targën e makinës së familjes Samson (e vetmja, një fuoristradë e zezë) pranë shkëmbit ku trupi i vajzës u gjet në një valixhe një javë më vonë. Makina shkon drejt asaj pike dhe pak minuta më vonë largohet. Pajisja e instaluar për të kapur vetëm ata që hedhin mbeturina në landfillin e paligjshëm kap vetëm targën, por jo makinën.
Por, për ta futur trupin e viktimës në valixhe dhe për ta vendosur në bagazhin e makinës, duket e paimagjinueshme që Mark Antony Samson ta ketë bërë i vetëm.
Pikëpyetjet e hetimit
Përveç tre plagëve me thikë, autopsia e kryer në institutin e mjekësisë ligjore Sapienza u fokusua në plagë sipërfaqësore që i atribuohen një sherri. Ndaj mendohet se Ilaria ka tentuar të mbrohej. Gjaku i gjetur në dhomën e 23-vjeçarit është i tij. Gjurmët shumë të vogla gjaku në krahasim me plagët e shkaktuara dhe shenja se dhoma është pastruar. Nga kush dhe kur është një pyetje tjetër që të çon te çifti Samson.
Sa orë ka mbetur kufoma në shtëpinë e tyre? Nëse udhëtimi për ta hequr qafe është në pasditen e 26 marsit, në çfarë ore është vendosur në makinë? Logjika sugjeron se gjatë mbrëmje së 25 Marsit për të mos u vënë re, shkruan Corriere della Serra.
Prej një jave e zhdukur, 22-vjeçarja Ilaria Sula u gjet e vrarë. Trupi i pajetë u gjet në një valixhe të hedhur në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli. Shqiptarja u vra nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson, i cili ndodhet në qeli. Hetuesit arritën të zbulonin se në ditët pas zhdukjes së vajzës, 23-vjeçari filipinas kishte vazhduar të përdorte telefonin e saj dhe bënte postime nga profilet e Ilarias në mediat sociale për të fshirë dyshimet.