Vera Ndreca, emigrante në Britaninë e Madhe, kandidon në listën e hapur për Partinë Socialiste. Ndreca garon për të përfaqësuar në Parlament zonën e Shkodrës. Në një intervistë për MCN përmes Skype, ajo rrëfeu arsyet që e shtynë drejt regjistrimit në platformën “Deputeti që duam” dhe theksoi se pret 5 ose 6 mandate nga Qarku i Shkodrës për socialistët.
Besoj te vizioni i Edi Ramës. Takoj turistë që kanë vizituar Shqipërinë dhe flasin në një mënyrë të tillë që më bëhet zemra mal. Unë nuk kam pasur kontribut politik në të shkuarën në Shqipëri. Por mendoj se PS ka një qasje shumë inovative. Kam aplikuar në platformën “Deputeti që duam”, kam qenë shumë e lumtur që u zgjodha të përfaqësoj Shkodrën dhe Malësinë e Madhe në Parlament.
Pavarësisht largësisë tonë fizike, largësia shpirtërore me Shqipërinë është njësoj si të jemi atje. Ne nuk jemi të shkëputur nga situata ekonomike dhe politike në Shqipëri. Ne e kuptojmë problematikën, zhvillimin dhe progresin. Shohim edhe elementë të tjerë që mund të ishin bërë më mirë dhe që mund të përmirësohen.
PS ka një qasje interesante në kontekstin e thithjes së talenteve. Nuk kam asnjë mendim negativ për formulën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe listat e hapura e të mbyllura. Kjo është një qasje për të maksimizuar votën për PS. Pra, i jepet mundësi çdo kandidati të garojë.
Të luftojmë fort që Shkodra të nxjerrë 5 ose 6 deputetë për Parlamentin e ardhshëm. Trendi është që në Shqipëri, PS është në rrugë të drejtë. Shkodra ka qenë në fokus të lojërave politike, por shkodranët e kanë kuptuar se duhet ta votojnë Partinë Socialiste.