Në Bruksel janë optimistë jo vetëm për hapjen e të gjithë grupkapitujve të anëtarësimit me Shqipërinë por edhe për mbylljen e shpejtë të tyre.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se progresi që ka bërë vendi ynë në më pak se 6 muaj nuk është bërë në 5 vitet e fundit sa i përket zgjerimit në Bashkimin Europian.
“Pak ditë më parë ne hapëm një grupkapitull tjetër me Shqipërinë, i dyti që kur unë mora detyrën 5 muaj më parë dhe me shumë mundësi jo i fundit. Në kaq pak kohë ne kemi hapur aq grupkapituj sa janë hapur në 5 vitet e fundit. Ne po ashtu do të mbyllim me shpejtësi grupkapitujt e hapura pasi në këtë mënyrë ky proces do të ecë përpara.”
Komisionerja Kos tha se bashkëpunimi rajonal do ti mundësojë shteteve të Ballkanit Perëndimor të ecin më shpejt me reformat e kërkuara.
“Që të arrihet sukses duhet udhëheqje e fortë për të vënë në jetë reformat transformuese të integrimit. Kjo kërkon që të arrihen kompromise të vështira politike për të lënë pas konfliktet e së kaluarës dhe për të vazhduar drejt së ardhmes. Me integrimin rajonal do të shkojmë edhe më tej në proçesin e zgjerimit të shteteve ballkanike”
Në gjashtë muajt e fundit Shqipëria ka hapur negociatat për tre grupkapituj të anëtarësimit. Tryeza e fundit ndërqeveritare ishte të henën që lamë pas, ku u celen negociatat për “Tregun e Brendshëm”, që parashikon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit.
Më herët, ne tetor të 2024, u happen negociatat për grupkapitullin e “Themeloreve” dhe dy muaj më pas për “Marrëdhëniet me Jashtë”.