Eljo Hato, një nga personat e shumëkërkuar në kuadër të dosjes “Metamorfoza” i ka shpëtuar një tjetër aksioni policor. Forcat RENEA kanë zhvilluar një aksion në Shkodër, ku kanë kryer kontrolle në zonën e Rrethinave në Shkodër në orët e mbrëmjes së kaluar, por kanë dalë duarbosh. Efektivët kanë shoqëruar gjashtë persona, mes tyre edhe vëllanë e Eljo Hatos, për t’i marrë në pyetje, pasi dyshohet se kanë dijeni për vendin ku mund të jetë fshehur i shumëkërkuari.
Ky është aksioni i dytë që zhvillohet në Shkodër për kërkimin e Hatos. Në janar të një viti më parë, RENEA zbarkoi në banesën ku ai jeton me të vëllanë. Nga ky aksion pati dhe të shtëna, madje forcat e policisë vranë njërin qen që ndodhej brenda saj dhe plagosën tjetrin. Në Sauk është zhvilluar gjithashtu një tjetër operacion, por aty u gjet vetëm mjeti i Hatos.
Për herë të parë emri i Eljo Hatos është lakuar krah atij të ish-bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, që rezulton i zhdukur që prej vitit 2022. Hato mbeti i plagosur në masakrën e ish-bllokut, pas përplasjes në të cilën mbeti i vrarë Fabiol Gaxha.
Eljo Hato ka qenë arrestuar më herët për vrasjen e Indrit Yllit dhe porositjen e vrasjes së mjekut radiolog të spitalit të Shkodrës, Agron Terolli.