Sot, më 11 prill, starton zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Një muaj garë intensive, ku forcat politike synojnë të bindin qytetarët për t’u besuar drejtimin e vendit për katër vitet e ardhshme. Përballë janë jo vetëm dy rivalët historikë – Partia Socialiste dhe Partia Demokratike – por edhe një sërë formacionesh e koalicionesh që synojnë të thyejnë për herë të parë binomin politik të tranzicionit shqiptar.
Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste kërkojnë një mandat të katërt radhazi, pas 12 vitesh qeverisje. Slogani i tyre “Shqipëria 2030 në BE” përmbledh ambicien për integrimin europian. Ndërkohë, PS pritet ta hapë zyrtarisht fushatën më 12 prill, në orën 12:00 – një orar simbolik që lidhet me 12 yjet e flamurit të Bashkimit Europian. Deri atëherë, sot pritet një ditë e mbushur me takime në të 12 qarqet, të fokusuara kryesisht te gratë – një nga shtyllat e votës socialiste ndër vite.
Në krahun tjetër, Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të jenë të parët që nisin zyrtarisht fushatën publike. Në orën 19:00 të mbrëmjes, në Sheshin “Nënë Tereza”, është planifikuar mitingu hapës. Fjalën kryesore e merr ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa vëmendje të veçantë pritet të marrë prezenca – qoftë fizike apo virtuale – e Chris Lacivita, strategu amerikan që pritet të udhëheqë fushatën e demokratëve. Vetë Berisha u tregua i rezervuar për surpriza, por tha se “entuziazmi është i dukshëm”.
Kryeministri Rama reagoi me ironi ndaj rikthimit të Lacivita:
“Ti vazhdo me broçkullat e tua derisa të zbresë sherifi në qytet”, u shpreh ai në një postim. “Ja erdhën zgjedhjet dhe do shohim kush do zbresë e kush do bjerë.”
Lulzim Basha, tashmë në krye të koalicionit Euroatlantik, do ta hapë fushatën më 12 prill, në orën 11:00, me një aktivitet te Xibraku, vetëm një orë përpara socialistëve. Po atë ditë, në orën 17:00, në Pallatin e Kongreseve, pritet të prezantohet edhe programi elektoral i plotë i demokratëve. Report TV mëson se zëdhënës i fushatës së PD-së do të jetë Andi Mustafaj, një nga më të votuarit në primaret, por që nuk garon për shkak të formulës me lista të mbyllura.
Edhe forcat e reja politike nuk mbeten pas. Agron Shehaj dhe partia e tij “Mundësia” do të ndërmarrin një tur unik me autobus, të personalizuar me simbolet e subjektit. Itinerari nis sot në mëngjes nga Shkodra dhe përshkon qytete si Lezha, Durrësi, Kavaja, Fieri, Vlora e përfundon në Sarandë, pas 12 orësh. Programi do të prezantohet më 13 prill.
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” do ta hapë fushatën më 12 prill në Vlorë, në orën 18:00, në sheshin përpara stadiumit “Flamurtari”. Ndërsa Lëvizja “Bashkë” e Arlind Qorit, ka zgjedhur datën 13 prill për një aktivitet në Fier, te Teatri Bylis, në orën 10:30.
Partia “Djathtas për Zhvillim”, ndryshe nga të tjerat, nuk do të ketë një event të posaçëm hapjeje. Ata e konsiderojnë aktivitetin e 24 marsit te Hotel Tirana si nisjen zyrtare të fushatës së tyre.
140 mandate në lojë, 186 kandidatë për çdo subjekt, sipas formulës së re: 46 nga lista e mbyllur dhe 140 nga lista e hapur. Një muaj përplot ngjarje, premtime, përballje dhe gara që do të vendosin për drejtimin e Shqipërisë në katër vitet e ardhshme.
Sondazhet? Të dyja palët të bindura për fitore.
“Mund të jenë edhe më shumë se 77 deputetë”, deklaroi Rama.
“Nuk jam profet, por e shihni vetë entuziazmin”, iu përgjigj Berisha./Lexo.al