E pamundur të thuhet se gjithçka ka përfunduar. Edhe pse Interi fitoi 2-1 në “Alianc Arenën” e Mynihut, sërish Bajerni mbetet Bajern, dhe çerekfinalja e dytë sonte në “San Siro” do të jetë e gjitha për t’u luajtur.
Zikaltërit janë kampionë të Italisë, dhe kryesues të Serisë A, pra respekti për veten nuk mungon. Damfris e Zielinski mbeten të dëmtuar, veçse trajneri Simone Inzagi mundi të lerë pushim fundjavën e kaluar në kampionat lojtarë të rëndësishëm si Turam, Mkitarian apo Bastoni. Vendasit pritet të luajnë me më të mirët që kanë, ndërsa Kristian Asllani besohet se do ta nisë ndeshjen nga stoli pasi shleu pezullimin javën e kaluar në Mynih.

Sa tension ndjen Inzagi?
“Tension ka, por më shumë ndjej krenari. Jam krenar për këta djem dhe për këtë klub, për mënyrën sesi po shkon ky sezon. Ne e dimë se na pret një ndeshje shumë e vështirë. E qartë që duhet të harrojmë rezultatin që kemi arritur në Mynih, por jo paraqitjen që bëmë atje. Një ndeshje e madhe. Kur duhej të tregonim nivel teknik e bëmë shumë mirë, kur duhej të mbroheshin po ashtu ia dolëm. Gjithsesi, e dimë vlerën e kundërshtarit, që është shumë e lartë. Duhet një paraqitje e nivelit të lartë, sepse pjesën e parë të çerekfinaleve e bëmë në Mynih, e dyta do të jetë këtu në Milano”.
Bajerni ka më shumë probleme. Musiala, Dejvis, Upamekano, kapiteni Nojer dhe Ito janë të dëmtuar, por Koman e Pavloviç duhet të jenë gati. Ndoshta, Gnabri do t’i zerë vendin Sanesë, e Tomas Myler të jetë titullar.
Trajneri Vinsent Kompani theksoi se e ndjen plotësisht adrenalinën e një ndeshjeje që do të luhet në “San siro”, në një nga pesë stadiumet më të veçantë të botës. Belgu theksoi se skuadra më e mirë e Italisë po luan me ekipin më të mirë të Gjermanisë, se bavarezët duhet të shënojnë, dhe se kualifikimi mund të zgjidhet edhe në kohën shtesë.
Bajerni vërtet e ka të vështirë, por historia I jep shpresë, e madje shumë. Të katër ndeshjet në “San Siro” më herët në Europë kanë përfunduar me fitoren e bavarezëve.