Nuredin Seçi, njeriu garant për pagesën prej 6 milionë dollarë për kompaninë lobuese për heqjen e non gratës së kreut të PD, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me kontratën. Ai është shprehur për ‘Shqipëria Live” në Top Channel, se ndodhet me pushime me familjen dhe nuk mundet të flasë për momentin.

Nuredin Seci: Ju faleminderit për interesimin por unë këto ditë jam me pushime me familjen larg e jam i pa mundur, për lobimin flet kontrata e ka Departamenti i shtetit e besoj që këtu çdo gja bahet transparente! Ju faleminderit për mirëkuptimin.

Nuredin Seci është edhe anëtar i kryesisë së degës “Vatra Mëmëdheu” në Nju Xhersi të SHBA-ve, dega më e re e hapur në vitin 2025. Partia Demokratike pretendon se ky person pasi ka mbledhur paratë nga patriotët shqiptarë që jetojnë në SHBA ka kontraktuar kompaninë “Continental Strategy” që përfaqësohet nga avokati i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, Carlos Trujillo për të për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA.

Kontrata e lobimit e Partisë Demokratike në SHBA është firmosur më prill nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka është bërë me kompaninë amerikane “Continental Strategy”. Vlera e kontratës arrin në 6 milionë dollarë, nga të cilat 3 muajt e parë 750 mijë dollarë janë paguar tashmë. Kompania merr përsipër t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave dhe objektivave të saj elektoral dhe qeverisës.