Nga Mero Baze
Sali Berisha po përpiqet të paraqesë humbjen e tij në zgjedhje si një viktimë e shpalljes “non grata” nga SHBA, edhe pse ai e ka zhvlerësuar me betejë politike atë. Për gati katër vjet ai ka bërë një betejë anti-amerikane shembullore, duke nxjerrë për herë të parë në sipërfaqe të shoqërisë shqiptare një anti-amerikanizëm të fshehur, i cili u kthye gati në një lloj ideologjie të grupit të Berishës në PD këto katër vite.
Falë kësaj fryme anti-amerikane, vetë Berisha filloi të kërkojë për aleanca ruse në rajon dhe brenda në SHBA. Është kjo arsyeja që ai një vit më parë ka përfunduar në duart e njeriut më të rëndësishëm të Kremlinit në SHBA, Paul Manafort, i cili është dënuar 7 vjet e gjysmë në SHBA për lidhjet ruse dhe ndikimin e paligjshëm rus në fushatën e Donald Trump në vitin 2016, dhe akte të tjera korruptive.
Berisha u përpoq ta sfidonte sanksionimin prej SHBA si person “non grata” për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë – dhe pati sukses. Së paku ai e bindi Partinë Demokratike se mes një lideri të ri si Lulzim Basha, i mbështetur nga SHBA, dhe Sali Berishës të sanksionuar nga SHBA, ata të zgjidhnin Berishën. Pra, PD e bëri me vetëdije të plotë zgjedhjen kundër SHBA në betejën e saj të brendshme.
Tani që lidhjet e tij ruse në SHBA i janë ofruar për fushatë elektorale, kundrejt pagesave të majme, Berisha po përpiqet ta konsiderojë penalizim shpalljen “non grata”, pasi sipas tij e pengon të shkojë në SHBA.
Nëse problemi i vetëm i “non grata” është udhëtimi në SHBA, Berisha ka të njëjtin problem me Britaninë e Madhe. As atje nuk shkon, pasi dhe aty është “non grata” për lidhje me krimin e organizuar dhe përdorimin e tij në politikë. Madje tifozët e PD në Angli janë më shumë se në SHBA.
Çështja e sanksioneve të tij nga SHBA dhe Britania e Madhe janë çështje politike, jo çështje vize. Dhe Berisha e ka fituar atë betejë brenda PD kundër SHBA. Tani SHBA, në dashtë ta mbajë atë sanksion, në dashtë ta heqë, nuk i prish punë njeriu dhe nuk i ndreq dot punë Berishës.
Nëse Berisha e ka çështje vize, le t’i japin një vizë të shkojë në SHBA dhe ta heqë merakun para se të vdesë, por ai ka pat thënë që jam plak e nuk udhëtoj dot.
Çështja e “non grata”-s është çështje politike, është beteja e tij politike me SHBA dhe ai e ka fituar atë betejë brenda partisë së tij, duke e kthyer atë në një skalion talebanësh anti-amerikanë.
Qëllimi i atij sanksioni ishte pikërisht të distanconte PD-në nga ai. PD nuk u distancua nga ai, por u distancua nga SHBA. Tani çdo gjë tjetër është pa kuptim. Në raport me “non grata”-n, është një betejë e humbur e SHBA, e cila tani duhet të kujdeset më shumë të ruajë autoritetin e saj në Shqipëri, sesa t’i qajë hallin Berishës.
Sali Berisha do të humbasë këto zgjedhje dhe të tjerat, nëse do të qëndrojë ende në politikë, edhe sikur të mos e ketë “non grata”-n.
Ai është “non grata” nga shqiptarët dhe kjo nuk ndryshon as me lekë, as me milionat e familjes së tij të vjedhura nga shqiptarët, as me ushtarë me pagesë nga Kremlini të veshur si amerikanë.
Kjo është e qartë.
Betejën e tij politike me SHBA ai e ka fituar brenda PD-së. “Non grata” e tij nuk i prish më punë as atij, as kundërshtarëve të tij. Madje atyre u bën më shumë punë heqja e “non grata”-s, sesa shkuarja në zgjedhje me të, pasi janë më të lumtur ta mundin, siç e kanë mundur gjithmonë, pa qenë “non grata” nga SHBA.
Kjo shtirja sikur do të humbasë se është “non grata”, është thjesht nxitimi për të gjetur përsëri një alibi anti-amerikane për humbjen.
Ai humbet po aq thellë edhe sikur t’ia heqin sot “non grata”-n, pasi ata që votojnë pro tij, kanë votuar kundër “non grata”-s brenda partisë, dhe ata që votojnë kundër tij, e kanë bërë këtë edhe para “non grata”-s.