Ndeshja mes Egnatias dhe AF Elbasanit u ndërpre për 12 minuta pasi në minutën e 78-të një nga tifozët vendas u rrëzua nga tribunat e stadiumit “Egnatia Arena” në Rrogozhinë. Menjëherë lojtarët njoftuan arbitrin dhe ndihma mjekësore ishte e fokusuar për të.

Autoambulanca transportoi tifozin në spital për mjekim më të specializuar, ndërsa lojtarët vendas nuk pranuan që ndeshja të riniste. Pas afro pesë minutash u njoftua se gjendja e tifozit ishte e stabilizuar dhe lojtarët dolën në fushë për të vijuar sfidën.

Dueli rinisi pas 12 minutash, kur në stadium mbërriti një tjetër autoambulancë. Gjendja e mirë e tifozit u njoftua edhe nga spikeri i stadiumit, teksa rrëzimi dukej aksidental.