Ish-trajneri i Juventusit, Tiago Mota, u shfaq për herë të parë në një dalje publike që pas pushimit nga puna si trajner i Juventusit më 23 mars 2025. Në një intervistë për “Corriere della Sera”, realizuar nga Valter Veltroni, ish-trajneri i Juventusit, bëri deklarata të forta: Nuk jam dakord kur flitet për dështim: puna jonë u ndërpre kur ishim vetëm një pikë larg vendit të katërt në renditje, që ishte objektivi kryesor në fillim të sezonit.
Italo-braziliani Mota mohoi kategorikisht zërat për konflikte me drejtuesin sportiv të Juventusit, Kristiano Xhiuntolin, madje saktësoi me forcë: Nuk kam pasur kurrë ndonjë bisedë të tillë si ajo që është përfolur, ku thuhet se më ka thënë që turpërohet pse më solli te Juve. Nuk kam pasur asnjëherë ndonjë përplasje me të. Janë gënjeshtra që nuk dua t’i lë të kalojnë pa një reagim.
Lidhur me akuzat se kishte thyerje dhe moskomunikim me lojtarët në zhveshtore, ai ishte edhe më i ashpër:
“Kush thotë se dhoma e zhveshjes ishte kundër meje, është gënjeshtar. Kisha një raport shumë të mirë me të gjithë lojtarët.”
Ish-trajneri i Specias, Bolonjës dhe Juventusit pranoi edhe gabimet e tij: Nuk kam bërë gjithmonë gjithçka në mënyrën e duhur, por gjithmonë kam vepruar për të fituar.