Kopshtari i resortit “Golden”, Festim Bexhdili ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës. Në procesin gjyqësor, sot, Bexhdili ka treguar se ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë, kur në ambientet e resortit mbërritën 4 persona të armatosur me një automjet luksoz. Ai pretendon se ka ndihmuar në zhvendosjen e trupit të pajetë të Jan Prengës, duke shtuar se ishte kërcënuar me armë për të ndihmuar për të ndjerin. Ai tha gjithashtu se pak më vonë kishte mbërritur Altin Hajri, i cili ishte i irrituar dhe kishte kërkuar që personat të largoheshin menjëherë nga resorti.
“Isha duke pastruar pishinën, kur erdhi një Range Rover i bardhë dhe u fut tek garazhi. Shkova t’i pyesja. Ishin 4 veta të armatosur. Nuk i njihja. Më kërkuan ujë dhe ju dërgova. Isha i frikësuar. Më thanë “ka vdekur njëri”. Më thanë ta kalojmë nga makina në makinë. Isha shumë i trembur, nga armët e tyre edhe se pashë një të vdekur. E kaluam nga një mjet në një Fiat Doblo, që e përdornim për furnizimet në kompleks. E zhvendosëm trupin.
Fytyrat i kishin zbuluar, por nuk i kujtoj. Njëri kishte tatuazhe. Pastaj më kërkuan edhe një kazmë e një lopatë. Nga gjuha m’u dukën si nga veriu. Aty erdhi pastaj Altin Hajri. Ai i shau dhe ju tha “ç’doni këtu, po na merrni në qafë”. Ju kërkoi të ikin shpejt. Nuk e di c’bëri Altini pastaj. Nuk e di për çfarë i deshën kazmën e lopatën. Jua dhashë dhe ata i futën ne makinë. Pasi ata ikën, unë shkova në shtëpi në Kavajë,”- tha Festim Bexhdili, kopshtar i “Golden Resort”.
Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. Për gjykim u dërguan: Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Edhe sot, trupi i Jani Prengës nuk është gjendur akoma…