Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, përcolli urimet për Pashkët nga Katedralja e Shën Palit në Tiranë, duke e cilësuar festën si një simbol të fitores së jetës mbi vdekjen dhe të dashurisë mbi urrejtjen.

Spiropali theksoi rëndësinë e bashkëjetesës fetare dhe vlerave që bashkojnë shqiptarët në ditë të tilla të shenjta.

“Kemi një traditë të bukur që festat i ndajmë bashkë, dhe në këtë atmosferë të gjithë gëzojmë dhe bëhemi bashkë për më shumë mesazhe shprese e bekimesh për të gjithë” tha ajo.

Spiropali theksoi se, “Pashka është e bekuar sepse simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën dhe të dashurisë mbi urrejtjen. Është një thirrje për të ecur përpara me më shumë dashuri për njëri-tjetrin”.

Ajo nënvizoi se, ky është një mesazh edhe për politikën.

“Ky mesazh shkon te të gjithë ata që janë këtu në Katedrale, por edhe në Kisha të tjera se Shqipëria është vend me tolerancë fetare. Bashkëjetesa mes njerëzve është e vërtetë. Ky është një mesazh edhe për politikën që të shkojë përtej ndasive të vjetra, përtej mesazheve që ndonjëherë përçajnë dhe për të dhënë mesazhe shprese. Me të vërtetë kemi mendime të ndryshme por duhet të punojmë më shumë për njerëzit e të japim që i paqtojnë dhe afrojnë njerëzit. Gëzuar të gjithëve, mbarësi e bekime në familjet tuaja”, u shpreh Spiropali.