Kryebashkiaku i Maliqit ka reaguar pasi PD e denoncoi në SPAK për aktivitete të paligjshme.
Gëzim Topçiu shprehet se nuk e ka lexuar ende kallëzimin, por thekson se në lidhje me ato që kanë treguar punësimet në periudhë zgjedhjesh janë pezulluar.

“Nuk e kam lexuar materialin, bashkëpunëtorët e mi më kanë çuar diçka, por nuk e kam lexuar dhe nuk jam njohur me materialin. Nga ajo që më kanë treguar bëhet fjalë për dy momente, për punësime në periudhë zgjedhjesh dhe në momentin e dytë me investime publike në territor apo prokurime publike.
Dua të sqaroj se me një urdhër të nxjerrë nga ana ime i kemi pezulluar të gjitha punësimet të reja, këtë mund ta verifikoni në institucionin e Bashkisë.
Momenti i dytë ka të bëjë me investime të cilat janë investime të miratuara me vendim të Këshillit të Bashkisë me vendim të vitit 2024. Janë procedura normale, standarde, nuk kemi bërë shtesa në periudhën 4 muajore të zgjedhjeve kështu që është një punë normlae e bashkisë.
Në konceptin tim unë mendoj që institucionet tona duhet të punojnë sipas një miratimi që Këshilli i Bashkisë ka bërë, sipas miratimit që bën Agjencia e Prokurimeve Publike, që është institucion që shikon edhe bazueshmërinë ligjore.
Kështu që më duket një veprim jo i duhur, por megjithatë institucionet përkatëse ta verifikojnë dhe të shikojnë cila është shkelja apo abuzimi që ne kemi bërë. Nuk mund të quhet favorizim në qoftë se unë investoj në të gjitha fshatrat e bashkisë. Është një investim 3 vjeçar për vitet 2025- 2026- 2027 i shpallur me vendim te Këshillit të Bashkisë, i miratuar nga institucioni i Prefektit, vazhdon me procedura standarde. Ne nuk bëjmë rrugë për të majtë apo për të djathtë, bëjmë rrugë kudo në të gjithë bashkinë . Le ta shikojnë komunitetet tona sa të vërtetë jemi për këtë pjesë”