Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga çelja e fushatës elektorale të Partisë Demokratike, e cila fillon në orën 19:00, në sheshin “Nënë Tereza” po bëhen përgatitjet e fundit për të pritur mbështetësit demokratë.

Do të kemi një fushatë “alla-Donald Trump”, pasi demokratët presin të ndjekin modelin e Presidentit Donald Trump në fushatën e tij presidenciale.

Në podium nuk do të jetë vetëm kryedemokrati Sali Berisha, por do të jetë dhe një skenografi tërësisht me të rinj, të cilët do të jenë dekori i Berishës në podium, ku do të mbajë dhe fjalën.

Pritet për t’u parë cili do të jetë mesazhi i LaCivita përpara demokratëve, të cilët do të ulen përreth sheshit “Nënë Tereza”, ku janë gati 6 mijë karrige, ndërkohë ky event pritet që t’i paraprihet një eventi të të rinjve, që do të vendosin disa pamje në shesh.

Ditën e nesërme pritet që Berisha të paraqesë dhe programin qeverisës nëse do të rikthehet në pushtet.

Nga ana tjetër, janë dhe partitë e tjera që startojnë fushatën, përjashtuar PSD dhe Koalicionin Djathtas, pasi e konsiderojnë fushatën e tyre të nisur përpara disa ditësh.

“Mundësia” e Agron Shehajt e ka hapur fushatën rreth orës 08:00 me një tur, ku niset me autobus nga Shkodra dhe duke përfunduar në Sarandë. Ditën e nesërme do të shpalosë programin qeverisës nëse do të arrijë të fitojë zgjedhjet.

Ditën e nesërme do të nisë fushatën “Nisma Shqipëria Bëhet” në orën 18:00 në Vlorë, në sheshin para stadiumit “Flamurtari”.

Partia e Arlind Qorit, “Bashkë”, pritet që ta hapë fushatën në Fier, ditën e diel, ora 10:30, në teatrin “Bylis”.

Koalicioni Euro-Atlantik i Lulzim Bashës do ta nisë fushatën më 12 prill, në një ambient tërësisht privat.