Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës ndaj kandidatit për deputet të PS, Ervin Doda për zonën e Fushë-Arrëzit  për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.

Në kallëzimin e dorëzuar, PD pretendon se Ervin Doda ka paraqitur të dhëna të rreme në ‘Formularët e Vetëdeklarimit’ të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si në vitin 2023 kur kandidoi për anëtar të Këshillit Bashkiak të Fushë Arrëzit, ashtu edhe në vitin 2025 si kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare.

PD thotë në kallëzim se më 23 mars 2023, Ervin Doda ka deklaruar në Formularin e Vetëdeklarimit se nuk ka qenë asnjëherë i ndaluar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale dhe nuk i është caktuar asnjëherë masë shtrënguese personale.

Ndërkohë, më 12 mars 2025, kur kandidoi si deputet, PD thotë se ai ka pranuar se i është caktuar masa e arrestit në burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” por “në seksionin «Periudha, data» ka shënuar datën «07.07.2026»”, thuhet në kallëzim, ndërsa PD shton se nga data 23.02.2016 deri në datën 07.07.2016, për rreth 5 (pesë) muaj, ai ka qenë nën masën arrest në burg.

Në të dy formularët, duke iu referuar pyetjes në formularin e vetdeklarimit ‘A keni qenë ndonjëherë dënuar për ndonjë veprën penale?’, Doda ka deklaruar se nuk ka qenë ndonjëherë i arrestuar për ndonjë vepër penale. Sipas kallëzimit të PD, përbën një deklarim të rremë dhe përmban elementët e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, e parashikuar nga neni 190, paragrafi i dytë i Kodit Penal.

PD kërkon që Prokuroria të nisë hetimet për këtë rast dhe të verifikojë të dhënat që ka deklaruar kandidati socialist.

Kallzimi penal për Dodën nga PD:

“Në datën 23.03.2023, shtetasi Ervin Doda, kandidat i Partisë Socialiste për anëtar i Këshillit Bashkiak Fushë Arrëz, ka dorëzuar Formularin e Vetëdeklarimit në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Në pyetjen nr. 4 «A keni qenë ndonjëherë i ndaluar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale?», ka deklaruar «JO». Po ashtu, në pyetjen nr. 5 «A është caktuar ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale, në fuqi ose jo?», ka deklaruar «JO».

Në datën 12.03.2025, shtetasi Ervin Doda, kandidat i Partisë Socialiste për deputet i Kuvendit të Shqipërisë në Qarkun Shkodër, ka dorëzuar Formularin e Vetëdeklarimin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Në pyetjen nr. 4, me përmbajtje cituar si më lart ka deklaruar «JO». Ndërsa, në pyetjen nr. 5, ka deklaruar «PO», me masë shtrënguese «arrest në burg», nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë për veprat penale të «Kanosjes» dhe «Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit», të parashikuara nga nenet 84 dhe 278 të Kodit Penal. Në seksionin «Periudha, data» ka shënuar datën «07.07.2026»”, thuhet në kallëzim.

3. Nga verifikimet e kryera nga ana jonë rezulton e provuar në të dy formularët e vetëdeklarimit, në përgjigje të pyetjeve me nr. 4 dhe nr. 5, shtetasi Ervin Doda ka paraqitur rrethana të rreme, pasi rezulton se nga data 23.02.2016 deri në datën 07.07.2016, për rreth 5 (pesë) muaj, ai ka qenë nën masën arrest në burg, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje, të parashikuar nga nenet 84 dhe 278 të Kodit Penal. Në të dy formularët në përgjigje të pyetjes nr. 4, ai ka deklaruar se nuk ka qenë i arrestuar ndonjëherë për kryerjen e një vepre penale, ndërkohë që rezulton se ka qenë i arrestuar dhe ka qëndruar nën masë arresti pesë muaj. Në formularin e vitin 2023, në përgjigje të pyetjes nr. 5, nuk ka deklaruar asnjë të dhënë, ndërsa në formularin e vitit 2025 ka deklaruar të dhëna të paplota lidhur me periudhën e qëndrimit të tij me masën shtrënguese arrest në burg.

4. Në këto kushte, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se shtetasi Ervin Doda, kandidat për deputet në Qarkun Shkodër nga lista shumëemërore e Partisë Socialiste që i nënshtrohet votimit parapëlqyes, ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 190, paragrafi i dytë, i Kodit Penal.”