Deputeti i opozitës Dashnor Sula vijon të “sulmojë” kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi ky i fundit nuk e bëri pjesë të listave të kandidatëve për zgjedhjet e 11 Majit.

Sula u shpreh se Partia Demokratike në zgjedhjet e 11 Majit do të marrë më pak vota se në zgjedhjet e vitit 2021. Deputeti theksoi më tej se Sali Berisha e ka injoruar kontributin e tij në Partinë Demokratike.

“Nëse marr rastin e vitit 2005 dhe 2021. Në 2005 kanë qenë vota të miat personale ato që kam marrë dhe jo të subjektit që kam kandiduar, në vitin 2021 kam marrë rreth 9,000 vota që tregojnë se kam pasur një mbështetje. Unë mendoj se një pjesë e votave kanë qenë në fashën gri që unë kam pasur mbështetje më të madhe.

Rezultati i zgjedhjeve është diçka që mendoj se nuk parashikohet por jam i bindur se PD do të ketë një numër më të pakët votash. Në Peqin, Belsh dhe Cërrik diferenca e PS dhe PD nuk do të kalonte më shumë se 300 vota nëse do të isha unë kandidat dhe tani mund të jetë deri në 10 mijë vota diferenca”-tha ai.

I pyetur nëse do të ketë angazhim me ndonjë parti tjetër deri në 11 maj, Sula tha jo.

“Jo. Do ishte një qasje jo normale të përfshihesha në një fushatë për një subjekt tjetër politikë. Unë po ju them se edhe tek PD nuk jam i përfshirë, kam pasur kërkesa nga kolegët e mi që janë në listën e PD por unë e kam të ndarë me mendjen time përderisa Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij injoruan kontributin tim dhe menduan se jam i padobishëm dhe pa vlera edhe në rast të një fitore të PD do t’i marrin ata meritat dhe në rast humbje t’i marrin vetë përgjegjësitë. Sa herë kam qenë pjesë e garës ka pasur rezultate të mira”-tha ai.