Partia më e madhe opozitare e Turqisë po ndjek një strategji të shumëanshme të mitingjeve në bazë dhe aleancave politike për të mposhtur Presidentin Recep Tayyip Erdoğan pas arrestimit të kandidatit të supozuar presidencial.

Të paktën kështu ka thënë kreu i grupit, sipas Financial Times.

Arrestimi muajin e kaluar i kryebashkiakut të Stambollit Ekrem İmamoğlu, shkaktoi panik dhe protestat më të mëdha në rrugë të Turqisë në një dekadë.

Ishte gjithashtu një pengesë e madhe për shpresat e opozitës për të rrëzuar Erdogan, i cili ka drejtuar vendin për 22 vjet.

Özgür Özel, kreu i Partisë Popullore Republikane, ose CHP, i ka thënë Financial Times se nuk kishte “asnjë plan” për të zëvendësuar İmamoğlu.

Por ai ka pranuar se duhej të ruante vrullin pas shpërthimit fillestar të pakënaqësisë popullore.

Kjo përfshin organizimin e demonstratave të rregullta dhe një lëvizje nënshkrimesh për të përkthyer zemërimin për arrestimin e İmamoğlu në një kauzë që rezonon gjerësisht me votuesit.

Özel ka sugjeruar gjithashtu se ai ishte i hapur për të formuar një koalicion opozitar të atij lloji që dështoi për të mposhtur partinë AK të Erdogan në vitin 2023.

“Me afrimin e zgjedhjeve, ne nuk jemi të mbyllur për aleancat me partitë e tjera. Për të mposhtur Erdogan-in, kemi nevojë për mbështetjen e të gjithë demokratëve”, ka thënë Özel në një intervistë.

Po ashtu ai ka theksuar se İmamoğlu mbetet kandidati i CHP-së për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të planifikuara për në vitin 2028.

Por Özel ka shtuar se, nëse një ndalim i vendosur nga qeveria e bën të pamundur kandidaturën e İmamoğlu, “do të përcaktojmë kandidatin më të përshtatshëm dhe do të bëjmë një fushatë të bazuar në fushatën e İmamoğlu për liri”.

I ulur në zyrën e tij në selinë qendrore të CHP-së në Ankara, Özel shfaq të njëjtën energji dhe vendosmëri që e bëri atë një figurë kaq galvanizuese në protestat pas arrestimit të İmamoğlu.

İmamoğlu u arrestua më 21 mars, vetëm disa orë pasi CHP e emëroi atë si kandidatin e saj presidencial, me akuza për korrupsion që ai i mohon.

Në ditët në vijim, Özel kanalizoi zemërimin e dhjetëra mijëra protestuesve në demonstrata gjigante, ku e cilësoi arrestimin e İmamoğlu si një “grusht shteti” të motivuar politikisht.

Të tronditur nga zhurma publike dhe një panik investitor që detyroi bankën qendrore të djegë mbi 30 miliardë dollarë rezerva për të mbështetur monedhën, autoritetet arrestuan rreth 2 mijë njerëz.

Zyrtarët sakaq kanë thënë se arrestimi i İmamoğlu tregoi se askush nuk është mbi ligjin, ndërsa Erdogan tha se Turqia nuk do t’i dorëzohej kurrë terrorit të rrugës.

I lindur në vitin 1974 nga dy prindër mësues në Turqinë perëndimore, një bastion tradicional i CHP-së, Özel hyri në politikë si anëtar i parlamentit në vitin 2011 pasi ushtroi profesionin e farmacistit.

“Meqenëse jam farmacist, përdor të gjitha llojet e trajtimeve”, ka thënë ai.

Özel ka përshkruar ndërkaq strategjinë e tij trepjesëshe.

Pjesa e parë përfshin një përpjekje kombëtare simbolike për të mbledhur 30 milionë nënshkrime, më shumë se sa Erdogan mori në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023, duke kërkuar lirimin e İmamoğlu dhe zgjedhje të parakohshme.

Sipas zyrtarëve të partisë, deri më tani kanë nënshkruar mbi 10 milionë njerëz.

Hapi i dytë përfshin mbajtjen e një mitingu çdo të mërkurë në Stamboll dhe demonstrata periodike anembanë vendit.

Kurse pjesa e tretë dhe më sfiduese e strategjisë është përkthimi i çështjes së İmamoğlu në një kauzë që rezonon gjerësisht me votuesit, veçanërisht të rinjtë, dhe kështu të mbajë presion mbi qeverinë.

Protestat e fundit përfshinin gamën e shoqërisë turke, nga studentët e majtë dhe nacionalistët e djathtë, te gratë e reja myslimane të mbuluara dhe pensionistët.

Por sipas një sondazhi të kryer muajin e kaluar gjatë një demonstrate në Ankara, 94 për qind e protestuesve ishin nën moshën 35 vjeç, por vetëm gjysma thanë se mbështesin CHP-në.

“Qëllimi ynë është të forcojmë partinë duke hapur dyert e saj për të gjithë demokratët”, ka theksuar kreu i partisë.

Çka përfshin mbështetës të mundshëm që kanë interesa diametralisht të kundërta, si kurdët.

“Nuk ka shpëtim vetëm”, ka theksuar Özel.