Avokati i Besian Xhixhës, Ilirian Duzeni ka braktisur sallën e gjyqit ku po zhvillohej seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”. Kjo për shkak se pretendon se është kërcënuar me jetë nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani. Sipas avokatit, i penduari i ka thënë “je në ofertë”, duke nënkuptuar se po planifikohej një vrasje e tij, paralajmërim që e ka frikësuar përfaqësuesin ligjor të Xhixhës. Ndaj edhe ky i fundit ka zgjedhur që të largohet nga salla. Por jo pa kërkuar më shumë vëmendje, si nga prokurori i çështjes, edhe nga gjyqtari.
“Nuredin Dumani më tha që ‘jam në ofertë’ (për ta vrarë). Presion dhe kërcënim nga Dumani, prokurori i SPAK hesht. Jam avokat, jam familjar, nuk kam gjë personale me asnjë. I bëj thirrje gjykatës që të jetë më e vëmendshme. Nuk mund të bëj shaka!,”-tha Ilirian Duzeni.
Pasi Duzeni u rikthye në sallë, edhe avokatja e Altin Ndocit, Elda Zotaj shtoi se po ashtu, edhe ajo ndjehej e kërcënuar nga i penduari i drejtësisë. Zotaj iu drejtua prokurorit të çështjes Behar Dibrës duke i thënë se i kishte premtuar “me besë” se asgjë nuk do t’i ndodhte. Por hetuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cilësoi si shpifje deklaratën e saj. Të dy avokatët që ndjeheshin të kërcënuar nga Dumani, i “drejtoi” që të bënin një kallëzim penal nëse do të kishin ankesa për zhvillimet në seancë.
DEBATI NË SALLË:
Ilirian Duzeni: Ndoshta reagova gabim pak më parë. Duke qenë se dëshmitari është i prokurorisë, prokurori duhet të jetë i kujdesshëm me dëshmitarin e tij. Organi i procedurës duhet të jetë më i vëmendshëm. Dumani duhet të jetë korrekt, ai ndoshta e thotë me shaka, por unë nuk e përballoj dot, sepse ai është trim dhe unë jam frikacak. Duke qenë se është bërë shqetësim disa herë, ne kemi kontaktuar me kryetarin e dhomës së avokatisë dhe na kërkoi shtyrje të seancës. Nuk e tolerojmë më këtë sjellje. Kërkojmë shtyrje të seancës. Me vendimmarrje të plotë do i kerkojmë prokurorisë dhe gjykatës të zgjidhet kjo situatë. Kontaktuam me Maks Haxhian.
Elda Zotaj: Në zyrën e prokurorisë i kam kërkuar prokurorisë të nisë procedim për Nuredin Dumanin për kanosje. Prokurori më tha “je ne besë time, nuk të prek Nuredin Dumani. Kjo është situatë e rëndë.
Behar Dibra: Pse unë e krijova atë situatë? Duhet të shihni shkaqet që çuan në atë deklaratë. Dumani është i pandehur në këtë proces, jo dëshmitar. Të merren masa për personin që provokoi situatën. Për këtë që thotë avokatja janë shpifje, të përverteta. Ke të drejtën të ngresh kallëzim ndaj meje. Shko bëj kallëzimin atje ku duhet. Mer regjistrimin dhe shko kallëzoje ku të duash. Bëhet me qëllim të caktuara kjo. Ju lutem vazhdoni gjykimin.
Në këto kushte, Gjykata shtyu seancën për datën 22 prill, në orën 10.00./ZËRI