Planet e Gianni Infantinos dhe FIFA-s për organizimin e edicionit të parë të Kupës së Botës për Klube në formatin e ri dhe të zgjeruar po përballen me një pengesë të madhe: politikat e reja fiskale të administratës së Donald Trump në Shtetet e Bashkuara. Sipas asaj që shkruan ‘The Guardian’, FIFA nuk ka arritur të sigurojë përjashtime tatimore për 32 klubet pjesëmarrëse, duke rrezikuar kështu fitimet e mëdha që ishin planifikuar për turneun.

FIFA kishte shpallur në muajin mars një fond çmimesh prej 1 miliard dollarësh për këtë kompeticion, ku deri në 125.8 milionë dollarë ishin planifikuar për ekipin fitues. Megjithatë, pa një marrëveshje tatimore me autoritetet amerikane, klubet pjesëmarrëse mund të përballen me detyrimin për të paguar dhjetëra miliona dollarë në taksa, jo vetëm në SHBA, por edhe në vendet e tyre përkatëse.

Ndryshe nga Kupa e Botës 2026, ku FIFA arriti të siguronte përjashtime nga një sërë taksash federale, shtetërore dhe komunale, në rastin e Kupës së Botës për Klube, që është organizuar me një njoftim më të shkurtër në kohë, nuk ka ndodhur e njëjta gjë. Megjithatë, FIFA po vijon negociatat dhe mbetet optimiste për arritjen e një zgjidhjeje që garanton trajtim të barabartë për të gjitha klubet.

Për këtë arsye, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është takuar dy herë në muajin mars me presidentin amerikan Donald Trump, madje ka marrë me vete edhe trofeun e ri të Kupës së Botës për Klube në Zyrën Ovale, në përpjekje për të fituar mbështetjen e nevojshme.

FIFA ka refuzuar të komentojë zyrtarisht mbi këtë çështje, por burime të afërta me procesin kanë konfirmuar se organizata është duke mbështetur klubet konkurrente për t’u përshtatur me kërkesat fiskale të autoriteteve amerikane, duke kërkuar një zgjidhje që shmang penalizimin financiar të pjesëmarrësve në këtë turne historik.