Nga Mero Baze

Problemi mbi kontratën 6 milionë dollarëshe të PD-së së Berishës me një kompani amerikane është i trefishtë. Është ligjor, është moral dhe është politik.

Problemi ligjor është dominant në çdo nen të kontratës.

Ligji shqiptar i financimit të partive politike ndalon në mënyrë të qartë çdo entitet të huaj të financojë fushatën zgjedhore. Nëse administrohet si provë deklarata zyrtare e PD-së që thotë se financimin e ka marrë përsipër një fondacion shqiptaro-amerikanësh në SHBA, është entitet i huaj dhe është ligjërisht e ndaluar të financojë fushatë elektorale në Shqipëri.

Shtetasit me pasaportë shqiptare që duan të kontribuojnë për PD-në duhet t’i derdhin donacionet në arkën e PD-së në Tiranë dhe prej andej duhet të bëhen pagesat. Çdo gjë tjetër është vepër penale. Është pak a shumë si deklarata e Lulzim Bashës në fillim të debatit për financimet ruse që tha se 500 mijë euro i kanë mbledhur shqiptarë të SHBA-së, por kur u ballafaqua me ligjin bëri përpjekje të harrohej çfarë kishte thënë. Dhe të parët që iu vërsulën pastaj, kur u prish me Berishën, ishin pikërisht këta që kanë firmosur këtë kontratë, me të njëjtin tipologji gënjeshtre, çka na lë të besojmë se edhe atë kontratë e ka bërë po Berisha.

Në këtë mes është akoma më i mprehtë problemi i pagesës së parë prej 750 mijë euro në momentin e lidhjes së kësaj kontrate. Duhet të presim deklarimin e saj në KQZ, se si është paguar nga PD-ja, dhe cilat kanë qenë burimet që të mos përsëritet ajo skena e Lulzim Bashës që thoshte “nuk mbaj përgjegjësi pse ka paguar ndonjëri 500 mijë euro për llogari të PD-së.”

Deri më sot në kontratë është vetëm emri i Nuredin Secit, një elektricist nga Tropoja, me pasion alpinzmin, që jeton në New Jersey në SHBA, i cili nuk ka para as për pleqëri e jo më për PD-në e Berishës. E vetmja lidhje logjike me të është se ai është anëtar i Kryesisë së Vatrës për New Jersey-n, dhe shoqata shqiptaro-amerikane që mund të fshihet pas pagesës mund të jetë Vatra, një seksion informal i PD-së në SHBA.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ka implikime më të gjera ligjore dhe rrezikojnë më shumë vetë ata që janë në Tiranë, pasi Vatra është subjekt i të drejtës amerikane, jo shqiptare. Është subjekt i huaj për ligjin tonë.

Mjafton të kujtojmë se kur Berisha ishte kryeministër më 2012, i ka dhënë me VKM Vatrës qindra mijëra dollarë për të financuar veprimtarinë e saj pro PD-së, çka është dhe një fill që e lidh atë me konflikt interesi ku janë përdorur lekët e buxhetit të shtetit.

Shuma e paguar më 4 prill prej 750 mijë eurosh ndeshet me ndalesa të forta ligjore nga ligji shqiptar i financimit të partive dhe duhet të jetë objekt i një hetimi serioz. Dhe të mendosh që e gjithë kjo është ende një kontratë që nuk e përfshin LaCivitën. Ai në këtë rast ose merr financim të fshehtë, ose ka një kontratë tjetër shumë herë më të madhe. Dhe kjo mbetet për t’u parë.

E sigurt është se jemi para një mashtrimi publik për mënyrën se si paratë e paguara cash nga një familje e sanksionuar si “non grata” po përdoren për të pastruar njollën “non grata” në një fushatë elektorale, ku Berisha ka kryefjalë varfërinë e shqiptarëve dhe ekspozon miliardat e fshehura të tij, fituar nga korrupsioni në pushtet.

Problemi i dytë i madh i Berishës në këtë histori është problemi moral.

E vetmja mënyrë që Berisha ta fitonte betejën me sanksionimin nga SHBA dhe Britania e Madhe si i korruptuar, minues i demokracisë dhe santazhues i sistemit të drejtësisë, ishte të sillej si viktimë e një komploti, edhe pse kjo nuk është e vërtetë.

Si i tillë, ai duhet ta injoronte historinë e blerjes me lekë të “nderit të humbur” në SHBA dhe Britani të Madhe. Ai pagoi rreth 700 mijë paund në Britani të Madhe, afërsisht 1 miliard lekë shqiptare, dhe e humbi atë betejë.

Tani në SHBA ka paguar 6 milionë dollarët e parë me shpresë se ata do ta shpëtojnë nga turpi me të cilin e kanë damkosur. Pretendimi i tij se “Non grata” e tij erdhi nga McGonigal i cili, një tropojan tjetër, Agron Neza, e pagoi 200 mijë euro, dhe do hiqet nga një tropojan tjetër, Nuredin elektricist i cili do garantojë 6 milionë euro, është banal dhe amoral.

Një njeri i pakorruptuar nuk paguan dot as 600 euro për një avokat e jo më 6 milionë euro. Fakti që ai paguan shumë më shumë se kaq dhe është i gatshëm të derdhë miliona të tjera vetëm që t’i heqin “non grata”-n tregon jo vetëm vetëdijen e tij si i korruptuar familjarisht, por edhe makthin e tij për fëmijët “non grata” që së paku ata të marrin drejtimin e partisë pas tij.

Së fundmi, ky është dhe një problem politik, i cili po interferon dhe në raportet brenda koridoreve të Shtëpisë së Bardhë.

Lobisti i Berishës, që do të marrë 6 milionë dollarët, Carlos Trujillo, ka qenë një luftëtar anti-Grenell brenda Shtëpisë së Bardhë dhe arriti ta shmangte atë nga kandidimi për Sekretar Shteti, ku ai pretendonte se ishte më i favorizuar se Rubio.

Duke u futur në luftërat e brendshme të pushtetit të ri në SHBA, Berisha rrezikon të çojë dëm 6 milionë dollarët, pasi mund të ndezë rivalitete të vjetra, duke u bërë ai shkak i një përleshjeje të re mes tyre.

Nga ana tjetër, ky gjest, pra heqja me lekë e një sanksioni, e turpëron SHBA-në dhe krijon imazhin e një pushteti të korruptuar që kundrejt lekëve zgjidh çdo hall.

Ky është një lehtësim i madh për çdo person “non grata” të sanksionuar nga SHBA. Nëse Berisha e heq me 6 milionë dollarë që nuk tregon dot ku i ka marrë, Tom Doshi mund ta heqë me 10 milionë dollarë shumë më të pastra, pasi i ka në llogari bankare nga biznesi i tij.

Të tjerët në listë po ashtu.

Kjo jo vetëm që e bën qesharake autoritetin e SHBA në sytë e shqiptarëve, por trimëron çdo njeri që rrezikon të sanksionohet në të ardhmen, pasi tani të gjithë dinë çmimin me të cilin hiqet njolla.

Dhe në këtë aspekt, Berisha është duke i bërë nder çdo të sanksionuari shqiptar dhe çdo kandidati për t’u sanksionuar në të ardhmen.

Pra, i vetmi efekt politik që vjen nga kjo histori është që ka trimëruar çdo të korruptuar në këtë vend kundrejt SHBA dhe e ka bërë SHBA shumë qesharake, si një tigër prej letre kundër korrupsionit në këtë vend.

Ky është i vetmi përfitim politik që vjen nga kjo histori. Dhe nuk është pak për ata që e duan pushtetin për të vjedhur.