Nga Hermes Kafexhiu
Në fakt ka më shumë se 1 javë, ndoshta 10 ditë, që media është ndarë në një mjedis, ku disa gazetarë konstatojnë daljen e një informacioni (si llafe kafenesh) dhe një mjedis tjetër që, në stisje e sipër, ka gjetur rastin për t’i dhënë njerëzve ‘konsum lajmi’ mbi telenovelën e një Big Brotheri të ri në Shqipëri.
Unë nuk kam qëllim fare të normalizoj bisedat e publikuara dhe as të konstatoj asnjë prej veprimeve të palëve.
Qëndrimi mbi këtë çështje, duke qenë se unë shkruaj një opinion në emrin tim, ka qenë i qartë në disa artikuj të mëparshëm, duke ftuar këdo që të bëjë një ndarje midis politikanit dhe prokurorit.
Politikani është ai që merret me të gjitha nivelet e shoqërisë dhe nuk ka asnjë procedurë vettingu ligjor që e ndalon të përzihet në taktika për të vepruar politikisht, përveç se në rastet kur e pengon ligji, dhe nga ana tjetër prokurorët nuk mund të zëvendësojnë veten me politikanët, ku ajo që fatkeqësisht bie më tepër në sy ditët e fundit është propaganda që po ngre drejtësia. Një drejtësi me propagandë është shumë më e rrezikshme se një qeveri me propagandë.
Në fakt, e gjithë kjo ndodh edhe në formë ironike, sepse njeriu që është akuzuar më shumë për propagandë në Shqipëri është Erion Veliaj, që në fakt propaganda e tij, e ashtuquajtur nga një komunitet emocionalësh ndër vite, është shumë e papërfillshme në raport me këtë propagandë që po ngre SPAK për të mbrojtur nxjerrjen e informacionit në media me qëllim rëndimin e imazhit të të akuzuarit, për të fituar kredo publike.
Një institucion si SPAK, aq serioz dhe me aq investim, nuk mund të luajë me plagën sociale të shqiptarëve, për mungesën e drejtësisë në 100 vite, që të përfitojë për të hedhur si cjapi te kasapi çdo të akuzuar si një të dënuar.
E para, i akuzuari nuk është i dënuari, ashtu si SPAK nuk është gjykatë.
E dyta, Olsi Dado dhe Altin Dumani duhet të kuptojnë se Engert Pëllumbi në vendim iu referua një Kryetari Bashkie, pikërisht kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Por ajo që të gjithë ne duhet të kuptojmë dhe është shumë serioze të kuptojmë, është se si SPAK është i dyshuar se nxjerr vetë dokumentet për të rritur propagandën e tij të luftës ndaj korrupsionit si statistikë.
Kjo është shumë serioze për të kuptuar sesi SPAK ndalon nxjerrjen e informacionit dhe nuk tenton të marrë në hetim një gazetar që nxjerr pjesë nga hetimi.
SPAK në këtë rast ka marrë një rol politik, vetëm e vetëm për të mbrojtur kauzën se gjasme Veliaj ja kërkon të ndërhyjë në proces.
Kur në fakt, e gjithë ajo që ka bërë Veliaj – edhe këtë e them pa asnjë ndikim të veçantë – është vetëm aftësia e një njeriu për t’u mbrojtur përballë akuzës.
Mos harroni, Erion Veliaj është i votuar nga 160 mijë veta dhe është një institucion, nuk është një individ. Nga ana tjetër, SPAK po ashtu është një institucion, i cili nuk duhet të katandiset në derexhen e një spektakli për lajme e klikime, si të jetë një Big Brother.