Nga Alba Malltezi

Sot, kur në supermarketet e botës gjendet çdo gjë dhe me Amazon mund ta kesh me shpejtësinë e erës edhe në shtëpi. Kur me një klik ke përgjigje për gjithëçka dhe Inteligjenca artificiale do të na ndihmojë përditë të jemi më të lirë, disa prej nesh do të dalin vërdallë me një llampë në dorë.

Do të kërkojmë mes dhjetërave, mes qindrave, mes mijërave: Njeriun! Mund të duket një lajthitje dhe diçka jashtë realitetit, por thelbi njerëzor që kemi brenda nesh mendoj se do të marrë përherë e me shumë vlerë, do të jetë virtyt përherë e më i rrallë, Ankohemi në kohët moderne, por në fakt është diçka që ekzistonte që në agim të Njerëzimit, atëherë kur Njeriu nisi të bëhej Njeri e kur filozofët grekë, nisën vërtetë ta kërkonin pasi iu mungonte që në fillim: Njeriu i konceptuar ashtu siç Krijuesi dhe Filozofia e mendonte: Të drejtë, të bukur, harmonikë, të paqtë, të padjallëzuar.

Nëse mendojmë se rebelët, kritikët e shoqërisë apo njerëzit që jetojnë ndryshe janë një fenomen modern, gabohemi, prandaj le të njihemi me një nga figurat më të çuditshme dhe frymëzuese të lashtësisë: Diogjeni i Sinopës. Ai ishte një filozof grek që jetoi mbi 2,000 vjet më parë, por mendimet dhe veprimet e tij janë po aq provokuese dhe të fuqishme edhe sot.

Diogjeni ishte i famshëm për një gjest që sot do ishte bërë viral në rrjete sociale: Ecte ditën për diell me një llampë të ndezur, duke thënë: “Po kërkoj një njeri!” ose disa shkrime të tjera e sjellin shprehjen e tij si “Po kërkoj një njeri të ndershëm!”. Me këtë akt simbolik, ai tregonte se, edhe në një qytet plot njerëz, virtyti, ndershmëria dhe thjeshtësia e vërtetë mungonin.

Por Diogjeni nuk ishte thjesht filozof i fjalëve. Ai e jetonte me të vërtetë atë që besonte. Jetonte në një enë të madhe balte (një lloj “çadër” e kohës së lashtë), nuk kishte asgjë, nuk donte pasuri, famë apo pushtet. Kur Aleksandri i Madh, më i fuqishmi i kohës, i ofroi çdo gjë që dëshironte, Diogjeni i tha: “Largohu pak, se më zë diellin!”. Ishte një mënyrë për të treguar se liria shpirtërore është më e vlefshme se çdo pushtet në botë. Legjenda tregon se Aleksandri i Madh iu përgjigj: “Nëse nuk do të isha Aleksandri i Madh, do të doja të isha Diogjeni”.

Ai ishte një kritik i fortë i hipokrizisë, i pasurisë së tepërt dhe i zakoneve boshe, duke sfiduar hapur autoritetet, filozofët e tjerë – madje edhe vetë Platonin. Një herë, pasi Platoni e përkufizoi njeriun si “kafshë dykëmbëshe pa pendë”, Diogjeni solli në Akademinë e kohës një pulë pa pupla dhe tha: “Ja njeriu i Platonit!”.

Çfarë mund të mësohet sot nga Diogjeni? Që nuk ke nevojë për pasuri për të qenë i lirë. Që duhet të guxosh të jesh vetvetja, edhe kur gjithë bota mendon ndryshe. Që të jetosh me ndershmëri, me pak mjete materiale dhe me dinjitet është një akt filozofik. Që të vërtetën nuk e gjen gjithmonë në librat e trashë, por në pyetje të sinqerta dhe veprime të guximshme.

Në një kohë kur jemi të bombarduar nga imazhe të rreme, konsum pa kufi dhe presion për t’u përshtatur dhe homologuar, Diogjeni ishte një zë i lashtë që na fton të mendojmë thellë, të jetojmë thjeshtë dhe të kërkojmë – me llampën tonë – njerëzinë dhe vërtetësinë brenda vetes dhe tek të tjerët.

A është një kërkim modern apo demode, këtë vetëm koha do ta tregojë.