Një qytetare, pjesëmarrëse në takimin që zhvilloi kryesocialisti Edi Rama në Elbasan, parashtroi edhe një problematikë në qendrën e fëmijëve me aftësi ndryshe në Elbasan. Rama i ‘tërhoqi veshin’ kryebashkiakut të qytetit Gledian Llatja, të cilit i kërkoi që të merren masa të menjëhershme.
Pjesë nga diskutimi:

Qytetarja: Ne kemi një shkollë speciale, që është një ndër të paktat në Shqipëri, ku janë mbi 63 fëmijë me aftësi ndryshe. Aktualisht janë te Muzeumi ku është bërë Kongresi i shkollës normale në Elbasan. Unë ju ftoj zoti kryeministër që të vini dhe të shikoni se si ngjiten ata fëmijë në ato shkallë me mësueset heroina që i mbajnë në krah, është e patolerueshme sot që Shqipëria është gati të hyjë në BE, dhe kushtet që aktualisht kanë ato fëmijë, edhe pse ne privatisht dhe bashkia jep suport të madh, por nuk kanë kushtet e duhura.
Rama: Çfarë do të më thuash ti? Pse më shkel syrin. Ti duhet ta kishe bërë që të mos vinte dita që ma thoshte ajo. Tani që ma tha ajo, s’ma thua dot ti. Ti duhet ta kishe bërë që të mos vinte ajo e të ma thoshte. Mirë në shtator do e zgjidhësh? Të ka thënë kryetari i bashkisë do e zgjidhë në shtator. Ai i rri punëve mbi kokë, por problemi është a i mbaron apo vetëm iu rri mbi kokë. Ktheje kokën këtej mos i bëj presion me shikim asaj. Në shtator do të zgjidhet kjo punë se nuk është çështje shkalle, po e vetë vendit që s’mund të rrinë aty. Do të lirohet në shtator mjedisi dhe do të zgjidhet ajo çështja. Shpresoj shumë që të jetë rasti megjithatë në shtator do të më njoftoni mua se u zgjidh dhe do të falënderoj kryetarin e bashkisë ose në të kundërt do të shkojmë bashkë te kryetari i bashkisë.”, tha Rama.