Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës Bledi Çuçi zhvilloi dje një takim me anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste në Rajonin Nr.2 në Vlorë ku prezantoi kandidatin Damian Gjiknuri dhe kandidaten Mjaftesa Sulaj.
Çuçi njoftoi se Gjiknuri do të kthehet në rajonin nr.2 të Vlorës, të cilin e ka drejtuar fushatën e 2021. Nga ana tjetër ai theksoi se këto zgjedhje janë një mundësi historike përtej një partie politike.
“Janë të gjitha rrethanat për ta kthyer në një rezultat historik. Në Rajonin 2 janë dy kthime: kthimi i Damianit, i cili ka drejtuar në mënyrë të shkëlqyer Qarkun e Vlorës për më shumë se 6 vite dhe ka udhëhequr dy beteja shumë të suksesshme të Partisë Socialiste, dhe sot kemi mundësinë historike për të bërë një tjetër rezultat historik, për të marrë mandatin e 9. Këtë mundësi na e shton dhe na e mundëson vota e diasporës. Gjithashtu, kemi dhe kthimin e Tesit nga emigrimi, pas 18 viteve, e tërhequr nga magneti i transformimit të Vlorës. Ne shkojmë në këto zgjedhje për të marrë një mandat për Shqipërinë në Bashkimin Evropian, dhe jo thjesht një mandat të një force politike por një mandat që përfaqëson Shqipërinë në BE. Janë zgjedhjet që do zgjedhin qeverinë që do të firmosë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”-tha Çuçi.
Kandidati Damiani Gjiknuri u shpreh i kënaqur për rikthimin në Vlorë
“Jam i nderuar që në Rajonin 2, një nga rajonet kampion të Partisë Socialiste, ne do të kemi fatin të punojmë së bashku. Ky është shembulli më i mirë i PS-së. Nuk ka njerëz të humbur por vetëm të fituar. Të gjithë ju bashkë jeni aksionerë të fitores. Rikthehem aty ku e lashë, në pikët më të larta, në betejat më të mira që kemi bërë së bashku, duke arritur për dy zgjedhje, fitoren më të thellë. Rajoni juaj ka potencial të jashtëzakonshëm për të patur përsëri një rezultat të thellë. Është një rajon ku është investuar shumë, janë bërë shumë punë të mira, projekte të mëdha për zonën dhe qytetarët e këtij rajoni e kjo ka ardhur falë Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare. Po ka një kartolinë të Vlorës, është Rajoni 2. Jemi në një garë por nuk duhet të dalim të plagosur nga kjo garë. Ne duhet të dalim më të bashkuar. Nuk duhet të kthehemi pas. Kjo fillon nga data 11 Maji, me ripërtëritjen e kësaj force politike përmes votës së qytetarëve, ku jam i bindur se, Rajoni 2 do të luaj rolin kryesor”, theksoi Gjiknuri.