Kryesocialisti Edi Rama lajmëroi sot nga Durrësi se do e përsërisi ritualin politik si projeksionist zgjedhjesh që bëri në Kuç të Vlorës në vitin 2021 dhe ku ‘qëlloi në shenjë’.

Ai tha se do e shënonte përsëri dhe këtë herë PS dhe Shqipëria do merrnin një “fitore me notën 10”, kurse kundërshtari do dilte “më keq edhe se më 1997”.

Ai gjithashtu përsëriti thirrjen ndaj kundërshtarëve, se nëse “nuk duan komunistat e PS”, le të votojnë për kandidatet femra të socialistëve, që nuk kanë asnjë lidhje me komunizmin,

“Do shkoj në Kuç dhe do e shënoj rezultatin. Por them këtë, do marrim fitoren e dhjetë, do jetë me notën 10 për ne dhe ata do marrin rezultatin më të keq, më të keq se atë të 1997. Por puna nuk është sesa keq do dalin ata, por sa do marrim me shpresën për të ardhmen dhe sa ju dhe kush ju ka ju ka edhe burra, dhe sa nga ju me fqinje, shoqe, mike, deri edhe demokrate, t’i tërhiqni.

Dhe në rastin më të keq ta vërë në gjumë burrin atë ditë. Nuk e di sesi ta vënë në gjumë, por ta vënë. Nuk na duhen, bindini, që të mos dalin fare atë ditë. Nuk voton dot për komunistat? Atëherë voto për kandidatet tona, ja ku është Klodi, jepja asaj e mos ia jep PS dhe me spond i shërben të ardhmes së Shqipërisë. Ja edhe Milva ku është, që s’i ka shërbyer as komunizmit, ja anëtarja e këshillit bashkiak aty ku është, ja kandidatët tanë”, u shpreh kreu i mazhorancës drejt fundit të fjalës së tij.

Kurse kritikave të kundërshtarëve dhe komenteve se ai po u thotë vajzave socialiste që të ndahen nga djemtë demokratë, iu përgjigj duke përsëritur apelin se “djem që shkojnë në kënetë dhe nuk zgjedhin Shqipërinë për BE më 2030” nuk kanë ç’i duhen vajzave durrsake”.

Dhe për ta përforcuar, ai tha se “Durrësi ka djem plot”.

“Se thonë ky Edi Rama i thotë vajzave që ndahuni nga djemtë demokratë. Po normal, pse ça muhabeti është ky, unë s’i them ndahuni, i them shpëtojini, merrini me vete, mos i lini në kënetë. Ka Durrësi djem plotë, nëse di do të iki në kënetë, se s’e lë babi, lërë le të zhytet në kënetë ai. O me kënetën, ose me ne dhe në BE. Jam i sigurt se më 11 maj do marrim 9 mandate në Durrës”.