Kryeministri Edi Rama pati një takim me gratë në fabrikën e “DBS Group”, një nga katër kompanitë më të mëdha në Europë në tregun global të veshjeve sportive. Gjatë fjalës së tij ai tha se Shqipëri është në avantazh sa i takon krahut të lirë të punës dhe këtë gjë duhet që ta vlerësojë. Me hyrjen në BE sipas kryeministrit Rama do të ketë një zhvillim të kapacitetit industrial të prodhimit dhe automatikisht për të gjithë punëtorët do të ketë rritje rroge që përputhet standardin e vendeve të BE-së.
“Është vërtet kënaqësi që të vizitosh këtë realitet. Është një realitet që kundërshton të gjithë ata zëra të cilët në një moment të caktuar qoftë nga brenda industrisë qoftë nga jashtë vunë kujën që forcimi i lekut ishte fundi i kësaj industrie. Ajo që ne kemi mbajtur qëndrim është rritja e industrisë dhe kapacitete prodhues, dhe se krahu i lirë i punës është avantazh. Nuk mundet që brezi i ri të ulet në një makinë qepëse njësoj siç janë ulur nënat e tyre. Kompania ka bërë hapa të mirë impresionues, por ka krijuar shembull se si mund të lidhen mirë komponentë e industrisë dhe ata financë me jetën sociale. Sipërmarrësit për shumë vite investuan më shumë për makinat se sa për punëtorët, sot e kësaj dite kanë kuptuar që nuk shkojnë dot me shfrytëzimin e krahut të punës. Është vërtet mbresëlënëse kjo që ndodh këtu. Ashtu siç ka këtu masa shumë të rrepta për respektimin e ditëve të pushimit.
Kjo na jep një provë shumë të qartë të avantazhit që ka Shqipëria, një avantazh strategjik që ne po mundohemi ta shtojmë me infrastrukturë. Me hyrjen në BE kompania mund të rrisë kapacitete e veta dhe mund të rrisë financimin për ju. Automatikisht do ketë rritje të pagave. Duke u bërë anëtarë të BE, do kesh mundësi që të marrësh rrogën që do në vende të tjera”, tha kryeministri Rama.