Kavaja ishte ndalesa e rradhës e Edi Ramës, në turin e takimeve me të rinjtë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Kryesocialisti tha se vota për të dhe partinë socialiste nuk është për 71 mandate por për të shkruar historinë dhe ulur në tryezën e Bashkimit Europian.
“Më 11 maj, vota është për historinë. Kjo, sepse me atë votë, Shqipëria bën përpara drejt rrugës në Bashkimin Europian. Nuk është votë për të marrë 71 mandate, se ne 71 nuk diskutohet që do i marrim, është votë për integrimin e vendit. Edhe Luli të futet me matematikën e vet, PS nuk merr kurrë më pak se 71 mandate.” Duke sjellë në vëmendje rezultatin që mori në primare Hysen Kadiu, Rama nuk i kurseu ironite me Sali Berishën dhe listat e hartuara nga ai.
“Në Kavajën që mbahej për një kohë shumë të gjatë si bastioni i Partisë Demokratike. Ka ardhur një kohë që kavajësit, nuk duhet ta falin për ne por për dinjitetin e tyre, jo për Europën e këto por për respekt të vetes. Se doli Kavaja dhe votoi njeriun nga vendi i vetë, edhe kandidati i Kavajës doli i pari në primare në qarkun e Tiranës dhe nuk është gjikundi. E keni parë ju, e ka ngrënë bufi. Ja u hëngri përfaqësuesin, Hyseni është në barkun e bufit.” Ndaj për këtë arsye, ftesa e Ramës është e qartë, jo vetëm për të rinjtë socialiste por edhe ato demokratë.