Ilir Ikonomi, ish-gazetar i Zërit të Amerikës, ka promovuar një tjetër vëllim për Fan Nolin këtë herë duke e shfaqur si “Rebel”. Kjo bazuar në veprimtarinë e tij nga dokumentet e gjetura.

Ikonomi ka sjellë një tjetër rrëfim interesant dhe të freskët për jetën e Fan Nolit në “folenë e grerëzave”, të viteve 1920 nuk ngurron të thotë se ai kishte prirje bolshevike ashtu siç shkon më tej kur thotë se ai tentoi të vendoste marrëdhëniet me Rusinë për hapjen e një legate në Shqipëri, gjë të cilën Rusia e donte për përhapjen më pas të bolshevizmit.

“Nga një dokument eksluziv që kam gjetur, Noli interesohej për sistemin bolshevik në 1923, kohë kur ishte deputet në parlament.

Shkoi në ambasadën sovjetike në Vjenë dhe Berlin, për tu bërë peshkop dhe për të marrë vizën ruse dhe pasi shkoi ata vunë re se ky interesohej për sistemin bolshevik.

Siç e dimë gjatë qeverisë së tij ai vendosi marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik dhe bëri gafë të madhe sepse atëherë ishte sakrilegj që Shqipëria të vendoste marrëdhënie me BS.

Por këtu kishte një sekret që historianët nuk e thonë, Stalini mori një telegram nga Ministri i Jashtëm i tij Çiçerini i cili i thoshte se mezi presim që në Shqipëri të ngremë një legatë sovjetike dhe Noli kishte nisur punën për ta ngritur atë.

Çiçerini shkonte më tej kur i thoshte Stalinit se na duhet legata për të përhapur bolshevizmin në Ballkan, pra nuk ishte vetëm vendosje lidhjesh diplomatike.

Rusët nxituan t’i vendosnin këto lidhje, por në sajë të ndërhyrjes së ministrit anglez dhe atij italian, nuk u lejua që Noli të ngrite konsullatën.

Më pas Noli bën dhe një vizitë në BS në 1927 kështu që këto prirje i kishte. Më vonë kur vjen Enver Hoxha në fuqi ai bëhet një lloj ambasadori i tij në Kombet e Bashkuara, e këshillonte, në farë këshilltari dhe këto prirje ai i ka vazhduar deri vonë”. U shpreh autori.

Ikonomi tha se është duke punuar për vëllimin e 3-të për jetën e Nolit nga koha e largimit nga vendi deri në 1965 kur ndërroi jetë.

“Kam ndërmend të mbaroj edhe një vëllim tjetër për Nolin që do të jetë vëllimi 3 dhe i fundit, ku do të përshkruaj jetën e Nolit nga viti 1925 kur ai largohet nga Shqipëria dhe deri në 1965 deri sa vdes. Janë 40 vjet, problemi është se ka shumë material dhe nuk e di nëse do t’i fus dot të gjitha në një libër, do përpiqem”, theksoi ai.

Ilir Ikonomi zgjodhi të promovojë “Rebelin” në Pogradec, pasi ka një lidhje të veçantë me qytetin, ai ka lindur në Pogradec dhe qyteti liqenor mbetet i veçantë në jetën e tij.