Kompania italiane e modës Prada ka njoftuar blerjen e markës së njohur Versace nga Capri Holdings për 1,375 miliardë dollarë, një marrëveshje që përfshin edhe borxhet e Versace, raporton Reuters.

Ky është një hap i madh për të bashkuar dy nga emrat më të njohur të modës italiane, në një industri ku dominimi kryesor i përket konglomerateve franceze.

Ndërsa Prada ka arritur të mbajë një pozicion të qëndrueshëm në treg pavarësisht rënies së kërkesës globale për mallrat e luksit, Versace ka operuar me humbje vitet e fundit.

Megjithatë, me këtë blerje, Prada synon ta rigjallërojë.

Marrëveshja vjen pak pas njoftimit të largimit të Donatella Versace-s nga posti i drejtueses krijuese, duke shënuar një fund epoke për markën që u themelua nga Gianni Versace.

Patrizio Bertelli, kryetar i bordit të Prada-s dhe bashkëshort i dizajneres Miuccia Prada, theksoi se do të ruajnë dhe zhvillojnë trashëgiminë estetike të Versace-s duke i ofruar mbështetje të fortë falë përvojës dhe investimeve të vazhdueshme.

Çmimi i paguar nga Prada është dukshëm më i ulët se shuma që Capri Holdings shpenzoi për të blerë Versace-n në vitin 2018, rreth 2,15 miliardë dollarë me gjithë borxhin.

Andrea Guerra, CEO i Prada-s, deklaroi se Versace ka potencial të madh, por kërkon një qasje të kujdesshme dhe kohë për t’u zhvilluar.