I njohur si ‘mbreti i kokainës’, Dritan Rexhepi dëshmoi për herë të parë në GJKKO për rrëzimin, vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020. Nga salla gjyqësore e GJKKO, Dritan Rexhepi mohoi akuzat e ngritura ndaj tij si porositësi i rrëmbimit, vrasjes dhe më pas zhdukjes së trupit të Jan Prengës, duke thënë se në atë periudhë ka qenë në burg në Ekuador ku po vuante një dënim prej 13 vitesh burg për trafik droge.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Jan Prenga u vra pasi vëllai i tij vodhi 283 kg kokainë në Angli, që dyshohet se i përkiste rrjetit kriminal që drejtohej nga Dritan Rexhepi dhe Gentian Funiqi. Në sallën gjyqësore, Jan Prenga për herë të parë mohoi lidhjen me Gentian Funiqin, ky i fundit i akuzuar se u dha urdhrin 5 personave për rrëmbimin e Jan Prengës në janar 2020. Edhe pse bashkë kanë qenë në një burg në Ekuador, Rexhepi thotë se nuk ka pasur asnjë njohje me të dhe madje mohoi të ketë dijeni për vjedhjen e drogës në portin Portsmouth të Londrës. Gentian Funiqi rezulton i arrestuar në Spanjë, por ende nuk ka një vendim për ekstradimin e tij në vendin tonë.

“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, kam qenë i dënuar 13 vite për trafik droge. Ju do me pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar. Ai doli i pafajshëm. Gentian Docaj ( Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen as e kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjell avokatja dokumentet nga burgu i Firencez, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës”, dëshmoi Rexhepi.

Një tjetër element i rëndësishëm i këtij procesi gjyqësor janë provat e reja që SPAK ka dorëzuar, që pritet të implikojnë drejtpërdrejtë Dritan Rexhepin, Gentian Funiqin dhe pronarin e kompleksit ‘Golden’, Altin Hajrin në vrasjen dhe rrëmbimin e Jan Prengës. Jo vetëm me Funqin, por Dritan Rexhepi mohoi edhe njohjen me Hajrin në kompleksin e të cilit u mbajt për 8 orë trupi i pajetë i Jan Prengës derisa më pas u fut në një mjet dhe ende nuk dihet se ku është zhdukur.

Rexhepi tha se lidhur me këtë ngjarje nuk ka pasur asnjë komunikim në aplikacionin SkyECC, i përdorur gjerësisht nga rrjetet kriminale, ndërsa i pyetur nga prokurorët e SPAK nëse ka njohje me Altin Hajrin, ‘mbreti i kokainës’ tha se nuk i thotë asgjë ky emër.

Prokuroria: A keni përdorur telefona të tjerë përveç kabinës dhe keni biseduar në SkyECC?

Rexhepi: Jo.

Prokuroria: A keni kontaktuar me persona të tjerë lidhur me ngjarjen?

Rexhepi: Me asnjë.

Prokuroria: Emri Altin Hajri a është emër i njohur për ju?

Rexhepi: Jo nuk më thotë gjë ky emër.

Por, pikërisht pas këtyre përgjigjeve të Dritan Rexhepit, prokurorja Elida Kaçkini paraqiti prova të reja, ku sipas saj janë komunikimet në SkyECC mes treshes Rexhepi-Hajri dhe Funiqi, ku flasin pikërisht në vitin 2020 për dinamikën e ngjarjes dhe rrëmbimin e Jan Prengës.

“Komunikimet kanë ardhur nga francezët. Komunikimet i përkasin Dritan Rexhepit dhe Altin Hajrit. Këto prova kanë ardhur së fundmi, ndaj kërkojmë t’ia paraqesim gjykatës. Do kërkonim te mos bëheshin publike. Komunikimet i përkasin periudhës së vitit 2020. Kanë të bëjnë pikërisht me çështjen penale, interesimin e tyre të vazhdueshëm për këtë çështje, çfarë ka ndodhur etj etj.

Para trupës gjykuese, Dritan Rexhepi pretendoi se për herë të parë e mori vesh nga familjarët që po akuzohej si porositës i kësaj vrasje. “Keni hipur trenin e gabuar dhe doni të shkoni ku doni vetë”, tha Rexhepi në sallën e gjyqit.

Nga familjarët mora vesh që akuzohesha për një rrëmbim të një personi qe ishte zhdukur. Tentova të merrja informacion në prokurori përmes një familjari tim, nuk mora dot. Ndërmjet këtij familjari u mundova dhe më thanë qe ka disa përgjime mes një personi që ka thënë jam Gramozi nga Vlora dhe familjarë të familjes. Këto përgjime telefonike nuk kanë dalë kurrë. Pse nuk i nxirrni, kur thuhet që ka përgjime mes meje dhe familjarëve të viktimës. Ju keni hipur në trenin e gazit dhe kërkoni te shkoni atje ku doni ju. Nuk jam unë personi. Ka ardhur dhe vetë vëllai i viktimës këtu dhe ka thënë këto fjalë. Doni ta bëni përballje mes meje dhe tij, nuk kam kundërshtime. Apo ta bëjmë me foto? E bëjmë. Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjegjësi ca bëj unë, jo c thonë ta tjerët. Nuk keni bërë asnjë lloj procedure. Pse nuk keni bërë? Nuk kam të drejta unë në këtë shtet? Më thanë për Jani Prengën, familjarët e mi, burri motrës time Dorjan Velaj. Ai takoi një gazetar te prokuroria, dhe une fola me gazetarin përmes kunatit tim. Përmes avokatit tim me vinin gazetat e fotokopjuara. Ndërkohë qe kunati im shkoi te prokuroria e tiranes për këtë ccështje, takoj një gazetar dhe i tha dy gjëra. O zoti gazetar i thash nuk jam unë personi qe po flitet. Fola me Artan Hoxhën. I dhash disa foto dhe ai i publikoi”, dëshmoi ai.

Po ashtu, Rexhepi mohoi të jetë ai ‘Gramozi’, personi që del në përgjime duke folur me vëllanë e Jan Prengës. Madje, në sallën e gjyqit kërkoi që të bëhet një ballafaqim me tij dhe Astrit Prengës, vëllait të Jan Prengës.

“Për Ndrek Prenga nuk kam dëgjuar ndonjeherë. Vetëm në gazeta kam lexuar. As për Astrit Prengën, në asnjë rrethanë. Me Gentjan Doçaj nuk kam njohje. Artan Doccaj nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Aldo Majnishta jo. Geraldo Martini jo. Asnjë shtetas i njohur si “Doda” nuk njoh. Telefon në burg nuk kam patur, nuk punonin për shkak të antenave”, dëshmoi Rexhepi.

Më herët, Prokurorja Elida Kaçkini kërkoi seancë me dyer të mbyllura dhe kërkoi largimin e gazetarëve, por trup gjykues Flojera Davidhi Elsa Ulliri dhe Rudina Palloi vendosën që gjyqi të bëhet me dyer të hapura. Ndërkohë, senaca e radhës është lënë më 7 maj dhe është urdhëruar shoqërimi i detyrueshëm të Aldo Manjishtës, një prej personave që rrëmbeu Jan Prengën në Kamëz.

Çështja e Jan Prengës

Jan Prenga, baba i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba këmbës. Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën ta fusin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë, ku u transportua në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike.

5 persona akuzohen si rrëmbyesit, Aldo Majnishta, Artan Doçaj, Geraldo Martini dhe Marin Bleta dhe Korado Gështenja, të cilët po gjykohen bashkë me Dritan Rexhepin. Ndërkohë, që urdhrin e ka dhënë Gentian Goçi allias Funiqi, ndërsa porositës dyshohet se është Dritan Rexhepi. Jan Prenga dyshohet se u dhunua dhe u vra brenda kompleksit Golden, më pas trupi i tij është zhdukur dhe sot e kësaj dite ende nuk është gjetur.

Dritan Rexhepi i arrestuar më Stamboll në 10 nëntor 2023, u ekstradua më 8 janar 2025 në Tiranë dhe u dërgua direkt në burgun 313, nën masa të rrepta sigurie. Ai po përballet për herë të parë më drejtësinë shqiptare, ndërkohë paralelisht në një tjetër proces është duke u gjykuar edhe Altin Hajri, në kërkim për dosjen e ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja.

Sa i takon çështjes së Jan Prengës, Hajri shfaqet në pamje duke dëmtuar kamerat e sigurisë së Golden Resort, aty ku është mbajtur trupi i pajetë i Jan Prengës për afro 8 orë. Po për vrasjen e Jan Prengë po rigjykohet edhe kopshtari Festim Bexhdilli, i cili u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, por më pas vendimi u prish nga Gjykata e Lartë duke e kthyer për rigjykim në Apelin e GJKKO-së.