Kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka dërguar një letër kreut të Lëvisjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Përmes letrës, Kurti e ka ftuar atë për konsultime për konstituimin e parlamentit.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në një takim të mërkurën, më 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, më 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet në letrën e siguruar nga mediat vendase.
Deri më tani, nuk është konfirmuar nëse Kurti iu ka bërë ftesë edhe partive të tjera opozitare, por javën e kaluar zhvilloi një takim me kryetarin e Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, por asgjë nuk është konfirmuar.
Si zhvillohet seanca konstituive?
Seanca konstitutive përgatitet nga kryetari i Kuvendit të mëprashëm, i cili 5 ditë para seancës zhvillon një mbledhje me kryetarët e partive politike në Kuvend për të përgatitur një rend dite.
Në rendin e ditës, përfshihet formimi i një komisioni të përkohshëm që verifikon kourumin dhe mandatet, betimin e deputetëve të rinj, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, votimin e raportit të komisionit të lartpërmendur dhe përcaktimin e vendeve të deputetëve në sallë, sipas fuqisë politike. Seanca konstituive kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.
Deputetët do të bëjnë betimin, ndërsa ata që mungojnë mund ta bëjnë në seancën pasuese, dhe mazhoranca, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, do të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Nënkryetarët, propozohen nga partitë më të mëdha dhe nga komunitetet joshumicë dhe komuniteti serb. Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe 9 dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate 8 vende.